Treg

Rama: Hotelet deklarojnë më pak klientë. Vitin tjetër do të kenë çmim reference

Nga Gazeta ‘Si’-Gjatë takimit me sipërmarrjen për lehtësitë e procedurave administrative që mund të aplikohen në biznes, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se strukturat akomoduese vitin e ardhshëm do të kenë një çmim reference.

“Ne duam t’ju lehtësojmë maksimalisht, por nga ana tjetër ju duhet të kontribuoni mbrapsht atë që është e shkruar, jo më shumë. Ju mendoni hotelet në bregdet, ju e dini shumë mirë, nuk është sekret, mjafton të bësh disa sondazhe të vogla nëpërmjet drejtorisë së taksave, për të kuptuar se tjetër janë çmimet që deklarohen, tjetër janë çmimet që paguhen. Tjetër është niveli i okupimit dhe nivelit që deklarohet. 

Hotelet duhet të përgatiten se vitin e ardhshëm do kenë referencë. Të gjitha do kenë një çmim reference”, deklaroi Rama ndërsa theksoi se shifrat e turistëve dhe të ardhurat nga hotelet, nuk korrespondojnë.

“Përtej Airbnb, e cila është një hapësirë e pakontrolluar, për të cilën duhet të krijojmë një marrëveshje me qeverinë, pasi nuk i tregon të dhënat dhe nuk kemi të dashur të hyjmë në taksimin e tyre, por si ta shpjegojmë kur shohim shifrat e turistëve dhe shohim të ardhurat e deklaruara nga hotelet, të cilat nuk korrespondojnë njëlloj?”, deklaroi Rama.

“Si për shitjen e apartamenteve, si për dhomat nëpër hotele nuk shohim asnjë rrugë tjetër, përveçse t’ju themi se bazuar tek tregu, që ‘jo, ne nuk e pranojmë që t’ju marrim juve tvsh 6 përqind për këtë shifër që na jepni ju, por do ju marrim shifrën 6 përqind për shifrën që na thotë tregu’ dhe ju do na e jepni, se nuk e marrim ta çojmë në shpi, por për të vazhduar të investojmë dhe për të përmirësuar shumë hallka që turizmi ka nevojë t’i përmirësojë shteti”, tha Rama.

Ai shtoi se për shtatorin 1.1 milionë turistë vizituan Shqipërinë dhe tha se dhe nëse muaji dhjetor vijon në këtë trend, Shqipëria do të kapë 10 milionë turistë këtë vit.

“Po, me siguri do kalojmë nëntën, varet nga dhjetori”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë