Nga Gazeta ‘Si’- Në mesin e majit, kryeministri Rama lajmëroi që do të përurohet një shkollë teknologjie pa kufizim moshe.
Lajmin e dha në një takim me të rinjtë, pjesëmarrës në kurset e kodimit, ku tha se në inaugurim do marrë pjesë edhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se qëllimi i programeve të tilla është nxitja e aftësive digjitale dhe shtoi se shkolla do hapet tek Piramida.
“Këtu tek piramida për pak ditë, besoj në mesin e majit kur do të bëhet Samiti i Komunitetit Politik Evropian, është planifikuar që së bashku me presidentin e Francës të hapim dhe një tjetër strukturë, është tanimë gati. Është një strukturë shumë e njohur tanimë në botën e teknologjisë, një shkollë tërësisht ndryshe nga shkollat tradicionale. Quhet ‘Ecole 42’ ku jepet mundësia të gjithëve pavarësisht moshës, pavarësisht backgroundit akademik, shkollës që kanë kryer që të konkurrojnë për të hyrë në atë shkollë dhe me një program shumë më specifik dhe inovativ.
Edhe një 40-vjeçar, edhe një 45-vjeçar, edhe një 50-vjeçar të ketë këtë shans, edhe të mos shihet si një dinozaur, kur i afrohet sistemit të teknologjisë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.