Politike

Rama: Gjykatësit e “21 janarit” mund të përfundojnë pas hekurave

Pasi opozita ka sulmuar mazhorancën dhe ministrat e rinj në ditën e paarë të sesionit të ri parlamentar, kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit ka kujtuar edhe 21 Janarin duke u shprehur se gjyqtarët që e kanë gjykuar këtë çështje kanë mbetur rrugëve. Por, kreu i qeverisë nuk e përjashtoi edhe mundësinë që ata të përfundojnë pas hekurave.

“Sot është 21 janari, këta vranë 8 vite më parë, sot vijnë këtu dhe kanë idenë se drejtësia nuk do të vijë. Mendojnë se do ta pengojnë edhe përmbysin reformën në drejtësi që është pa kthim. Gjykatësit e 21 janarit sot janë rrugëve, nesër mund të përfundojnë pas hekurave”.

Sa për opozitën Rama tha se, “Këta sot janë edhe më të dobët se një muaj më parë, ne më të fortë, protesta na dha mundësinë që të dëgjojmë dhe reflektojmë. Këtyre ju dha mesazhin nuk ju shikoj dot me sy. Ne na drejtoi një kërkesë të qartë duam këtë dhe këto me radhë, i duam nga ju dhe askush nuk i bën dot për ne. Këtyre ju tha që nuk ekzistojnë si alternativë”.

Rama më tej i kujtoi ish-Kryeministrit Berisha një mesazh të marrë, duke i thënë “ta qaj hallin”. “Sali, ta qaj hallin për mesazhin që ke marrë, por s’kemi çfarë të bëjmë”, tha Rama, por pa specifikuar se për çfarë mesazhi e kishte fjalën.

Ai i quajti të neveritshme ato që i konsideroi fyerje të Lulzim Bashës drejtuar ministrave të rinj. Rama tha se Basha e bëri këtë pasi nuk ka asnjë shans për të hedhur baltë ndaj tyre.

Kryeministri nënvizoi se qytetarët do të shohin te Partia Socialiste fuqinë e ndryshimit, duke theksuar se sot kjo forcë politike është më e fortë.

Duke u ndalur te beteja e zgjedhjeve vendore, kryeministri tha se “nuk ka asnjë dyshim se do t’i fitojmë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë