Nga Gazeta ‘Si’- Fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama e nisi me kritika për sistemin e drejtësisë.
Rama tha se ka prokurorë dhe gjyqtarë që janë të prekur nga drejtësia e vjetër dhe se nuk do të ketë kthim pas. Ai nuk kurseu kritikat as për SPAK-un e GJKKO-n.
Për këtë të fundit tha se ka mbetur mashë e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa për organin e akuzës shprehu revoltimin për mënyrën e trajtimit dhe hetimit të rasteve të ndryshme.
“Nuk jemi lëkundur në këtë rrugë, nuk do të lëkundemi as sot, pavarësisht fakteve që, përveç arritjeve të padiskutueshme, pushteti i ri i drejtësisë shfaq hera herës shenja të sëmundjes së vjetër. Pushteti i ri i drejtësisë mban ende në radhët e veta, lart e poshtë, nëpër Shqipëri, prokurorë e gjyqtarë, dritshkurtër, mendjengushtë e me mungesë integriteti, që e bëjnë të bardhën të zezë, ndërkohë që qeverisja e pavarur e sistemit reagon sikur fle në këmbë. Rastet e fundit, kur disa prokurorë dhe gjyqtarë i kanë rënë ndesh ligjit duke mbajtur krahun e zbatuesve të tij.
E vërteta e madhe është se nuk bën përjashtim as SPAKU, krenaria e vetme e reformës në drejtësi, as Gjykata Speciale që nuk po del nga hija e SPAK-ut. Edhe këto institucione kanë na dhënë arsye dhe për t’u habitur dhe shqetësuar shumë seriozisht, mosrespektimi i prezumimit të pafajësisë, intimidimi i personave në liri, nxjerrja e të dhënave hetimore rrugëve për paracaktruar në pazare fatin e personave të hetuar”,- tha Rama ndër të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



