Një grup italianësh që jetojnë e punojnë prej vitesh në vendin tonë kanë marrë kartat e anëtarësimit në Partinë Socialiste.
Dorëzimi i këtyre kartave u bë në një ceremoni të prezantuar nga Damian Gjiknuri dhe ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama.
Gjiknuri tha se janë 35 italianë që kanë shprehur dëshirën për t’u anëtarësuar në Partinë Socialiste, duke deklaruar se pas kaq vitesh në Shqipëri, ata e identifikojnë veten me këtë forcë politike që ka transformuar Vlorën.
“Numri është shumë më i madh, po për shkak të rregullave të pandemisë kaq janë këtu”, tha Gjiknuri.
Njëri prej shtetasve italianë i pranishëm në këtë takim tha se ndodhej në Vlorë prej vitit 2014 dhe tha se qyteti ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore, ndërsa duke marrë shkas nga prania e Ramës me xhupin e Juventusit, ndau me të “dhimbjen” e humbjes në ndeshjen e mbrëmjes së të mërkurës.
“Edhe unë jam juventin dhe e përjetova keq rezultatin e ndeshjes mbrëme”, deklaroi italiani.
“Faleminderit që mund të ndajmë edhe dhimbjen, por mendoj që Juventusi ka aftësinë të rilindë atëherë kur askush nuk e pret dhe kur armiqtë e tepërt e quajnë si të humbur”, iu përgjigj Rama.
Vlora është një prej qyteteve më të preferuara të italianëve që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar vitet e pensionit, apo për sipërmarrje e punësim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.