Mungesa e krahut të punës në industrinë e peshkimit në Shqipëri është ngritur si shqetësim nga bizneset që ushtrojnë këtë aktivitet në takimet me Kryeministrin Edi Rama dhe ky i fundit e ceku këtë problematikë gjatë prezantimit të buxhetit për vitin e ardhshëm për këtë sektor.
Rama tha se aktualisht kjo industri po mbahet në këmbë nga punonjës nga Turqia dhe Egjipti.
“U them të gjithëve se paga më e ulët që ju jepni në peshkim është 800 mije lek. A ka ndonjë këtu që nuk ka nevojë për punëtorë peshkimi? Të gjithë keni. Ku i gjeni punëtorët? Në Turqi, Egjipt. Vijnë nga Turqia, Egjipti për të punuar këtu”, tha Kryeministri.
Rama ftoi të rinjtë, edhe ata të diplomuar që janë në kërkim të punës që ta shikojnë këtë si mundësi, ndërsa premtoi se mbështetja e Qeverisë për peshkatarët nuk i ndan këta të fundit sipas bindjeve politike.
“Disa me diploma Kristali që pertendojnë se janë juristë kërkojnë punë. Jo mo, hajde trokit te industria e peshkimit dhe nëse janë gati të punojnë e kanë punën këtu. Për ne nuk ka rëndësi je socialist, apo demokrat, rëndësi ka të kapësh peshkun në det”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



