Politike

Rama fton kompanitë britanike për portin e Porto Romanos: Bisedova me Sunak për projektin, por edhe emigrantët

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka treguar se homologu i tij britanik ka treguar interes për projektin e portit në Porto Romano duke ftuar dhe kompanitë atje të bëhen pjesë. Rama shtoi se pas një bisede me Sunak, kanë vendosur të ngrenë një skuadër pune për goditjen e fenomenit të emigrantëve ilegalë, “edhe pse shqiptarët janë gjëja më e mirë që i kanë ndodhur Britanisë”.

“Nëse Mbretëria e Bashkuar na bën ndonjë propozim së bashkuar një situatë që nuk i pëlqen BE-së por është e mirë për të dyja palët, ne brexitojmë.  Jemi të hapur, bile ku ta gjejmë të fusim në sherr BE-në me Britaninë. Së bashku me kryeministri atje, kemi rënë dakord që të krijojmë një skuadër të përbashkëta për të goditur pa mëshirë këtë fenomen. Ai shprehu dëshirë për të marrë pjesë në zhvillimet në vend dhe në këtë investim”, – tha Rama.

Ai shtoi se kompanitë duhet të jenë “të dashura” me NATO-n, që të bëhen pjesë e projektit.

Më tej, kryeministri shqiptar theksoi se ky port i ri tregtar në Durrës do të bëhet nyja strategjike e qarkullimit tregtar për të gjithë Ballkanin dhe se do të trefishojë kapacitetet përpunuese.

“Të gjitha rrugët të çojnë në Durrës. Duke nisur me integrimin me Prishtinën dhe Strugën do t’i japë rajonit zhvillim dhe kapacitet të përpunimeve tregtare. Në fazën e studimit të fisibilietit për portin e thatë në Prishtinë financuam dhe ne një pjesë, ndërsa për atë të Strugës paguan qeveria e Maqedonisë së Veriut, sepse ne veç Kosovën kemi përsipër”, -tha kryeministri Rama, në prezantimin e projektit të zhvendosjes së portit.

Rama tregoi dhe se një rezultat i samitit të BE-së në Tiranë ishte, përfshirja e korridorit të tetë në rrjetin e infrastrukturës se qarkullimit rrugor-hekurudhor të BE-së, duke hapur mundësitë për financim nga ata.

“Faza e parë e portit turistik nis për pak javë. Të dyja projektet janë të fazuara që të harmonizohen. Garanci 100% e kontratave ekzistuese, thjesht do të ketë spostime. Jemi këtu për t’i treguar atyre se jo vetëm që nuk do mbyllim portin tregtar për të bërë një port turistik, por kemi garancinë e plotë se do të kishim gati një port tregtar. Çfarë nuk u tha për miliardat që do të kushtonte ky spostim, siç e patë, faza e parë është 390 mln euro, tërësisht e arsyeshme. Do të zhvillojmë një proces në PPP.

PPP-të nuk janë akte kriminale. Do të hapet gara dhe cilado kompani që merr operimin e portit, të jetë kompani nga një vend jo hostil ndaj NATO-s”, -tha Rama.

Pjesë e prezantimit ishin dhe ministri i Infrastrukturës së Kosovës Liburn Aliu dhe zv.kryeministri Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Ministri të Infrastrukturës së Kosovës Liburn Aliu u shpreh se ky bashkëpunim do të sjellë përfitime ekonomike si për Shqipërinë edhe Kosovën, duke theksuar se Prishtina do ketë një rol për shkëmbimet tregtare që do t’i marrë nga Durrësi dhe do të shkojnë drejt vendeve të rajonit, si në Maqedoni dhe me synimin për t’u shtrirë më pas në të gjithë Ballkanin.
Grubi tha se ndërtimi i Portit të thatë në Strugë është dimension i ri ekonomik. “Erdhi dita që ta formalizojmë këtë marrëveshje që do të rrisë bashkëpunimet tregtare me Shqipërinë. Ne iu falenderojmë që na lejuat të bëhemi pjesë e këtij projekti”, – u shpreh zv.kryeministri maqedonas që më pas nënshkroi marrëveshjen me homologen nga Shqipëria, Belinda Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë