Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të enjte, më 26 mars, në edicionin e dytë të MatchMaker Albania, një platformë që bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase e ndërkombëtare.
Ai u ndal veçanërisht te turizmi, duke theksuar se vendi ka kaluar nga një model sezonal në një ofertë më të qëndrueshme gjatë gjithë vitit. Sipas tij, Shqipëria tashmë mirëpret si turistë individualë ashtu edhe grupe të organizuara, ndërsa objektivi mbetet rritja e cilësisë së ofertës turistike.
Kryeministri rikujtoi synimin e qeverisë për të çuar eksportet në 1 miliard euro dhe e konsideroi të arritshëm. Në sektorin e energjisë, Rama theksoi ambicien për të arritur sovranitet të plotë energjetik deri në fund të dekadës.
Rama bëri edhe një ftesë joformale për investitorët që “të pinë raki”, për të njohur Shqipërinë dhe të shohin nga afër potencialin e saj ekonomik. Ai konfirmoi gjithashtu se shumë shpejt pritet hapja e pikës së parë të rrjetit gjerman të supermarketeve Lidl në vend.
“Sot në stendën ‘Takohu me qeverinë’ do të gjeni pak raki, edhe pse nuk është më e nevojshme për t’ju dhënë entuziazëm kur vini në Shqipëri, provojeni, do t’ju bëjë që Shqipëria t’ju duket edhe më e mirë, por efekti më i madh dhe më i shkëlqyer i saj është që do t’i sjellë të gjithë në qejf e të mos vuajnë artificialisht për këtë problemin tonë, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Rama.
Në kuadër të zhvillimeve të reja, ai bëri me dije se shumë shpejt priten risi në fushën e inteligjencës artificiale, duke përmendur rikthimin në vëmendje të ministres për këtë sektor.
“Jemi krenarë që jemi vendi i parë që i kanë lënë hapësirë edhe në qeveri një ministreje të inteligjencës. Po bëhet gati të kthehet sërish në vëmendje me disa lajme të mira. Dixhitalizimi për ne përfaqëson bekim si për shumë vende që në zhvillim sepse është një mundësi unike për të kapërcyer përpara dhe për të mbyllur hendeqe historike që tjetërsoj nuk do të mund të mbylleshin në afatin kohor të një brezi apo dy”, tha kreu i qeverisë.
Në aktivitet foli edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se investimet strategjike kanë arritur nivele rekord dhe se klima e biznesit është përmirësuar ndjeshëm.
Sipas saj, turizmi dhe zhvillimi urban përbëjnë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, ndërsa Shqipëria ofron një paketë konkurruese për investitorët, veçanërisht në sektorët e teknologjisë dhe inovacionit.
Nga ana tjetër, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se Shqipëria po pozicionohet si një destinacion i besueshëm për investime në energji, duke theksuar funksionimin e bursës së energjisë dhe zhvillimin e burimeve të rinovueshme përmes proceseve transparente.
Ndërkohë, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh se turizmi mbetet pika qendrore e transformimit ekonomik, duke theksuar nevojën për investime të qëndrueshme dhe rritje të cilësisë së shërbimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje