Politike

Rama flet për skandalin e Bankers: Prokuroria t’i nxjerrë ujin e zi!

Nga Gazeta ‘SI’ – Në rikthimin e tij përballë publikut në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama përgëzoi punën e Prokurorisë së Fierit për aksionin ndaj Bankers Petroleum.

Rama i kërkoi Prokurorisë “t’i nxjerrë ujin e zi” kësaj çështje.

 “Ne kemi fituar me Bankers një arbitrazh dhe Bankers na detyrohet 240 mln euro. Shyqyr që ka ardhur dita që prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelën përkatëse që ka bërë këtë investigim dhe uroj ti nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje, ku realisht ka pasur shumë problematika dhe që është akoma sot e gjithë ditën, kostoja e një koncesioni të dhënë para se unë të merrja detyrën.”, tha Rama.

Rama përmendi tërthorazi edhe arrestimin e Erion Veliajt, teksa tha se “Tiranës i mungon drejtimi…por kjo është një histori tjetër”, duke nënkuptuar se do të flasë në një moment të dytë.

Sa i përket dorëheqjeve të drejtorëve të bashkisë, Rama tha se ishte i nevojshëm. 

“Unë u detyrova të ndërhyj duke parë disa gjëra që kishin nevojë për shtytje të fortë nga lart. A duhet të ishin bërë pa nevojën e kësaj ndërhyrjeje, një shoqëri demokratike e konsoliduar ku secili  e di se ku e ka kufirin. Nuk fillon gjëra nga inspektori apo kontrollori por nga secili që di se ku ka kufirin. Më Pas inspektori dhe kontrollori janë aty për të kontrolluar dhe siguruar që ai kufi të ruhet në funksion të asaj shumice që atë kufi e respekton.”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë