I ftuar në emisionin “Xing me Ermalin”, Kryeministri mes batutave iu përgjigj edhe një pyetjeje mbi të ardhurat financiare me të cilat ka ndërtuar shtëpinë e tij në zonën e Surrelit, në periferi të Tiranës.
“Një shtëpi u bë falë gruas, se po të mos ishte ajo nuk do të bëhej shtëpia. Është e gjithë merita e Lindës që u bëra edhe unë me shtëpi”, deklaronte Kryeministri.
Por, përmes rrjeteve sociale, ish-Kryeministri Sali Berisha rikthen deklaratën e bërë nga Kryeministri Rama gjatë takimit me studentët në Universitetin e Vlorës, kur njëri prej tyre e pyeti pikërisht për këtë shtëpi.
“Unë kam qenë emigrant dhe si të gjithë emigrantët kam bërë edhe unë sakrificat e mia në emigracion”, deklaronte ai.
Por, akuzat nga ana e PD-së nuk u ndalën me kaq. Po përmes rrjeteve sociale, nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka akuzon Kryeministrin se po fshihet pas bashkëshortes për të fshehur më pas pasurinë dhe gjithë luksin ku jeton.
“Damka e një njeriu që jeton në luks iu rikthye ditët e fundit me oxhakun 18 mijë euro që ngrohte studion e punëve të tij private dhe me shtëpinë superluksoze në Surrel.Njësoj si njerëzit e tij në hall për të fshehur pasurinë, edhe Edi Rama përdori si mburojë gruan, që në këto raste qëllon edhe kursimtare, edhe nikoqire. Tokën ku është ndërtuar shtëpia ia ka blerë gruaja, dasmën e bën me kursimet e gruas, shtëpinë e paska ndërtuar me kursimet e gruas”, shkruan Paloka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




