Politike

Rama për arsimin profesional: Të rinjtë, me punë të garantuar

Në episodin e dytë të sezonit të tretë të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama vuri në fokus arsimin profesional, duke e quajtur edhe, “arsimi i të ardhmes.

Rama për të bashkëbiseduar me të, kishte të ftuara Anila Nanaj, drejtoresha e shkollës teknike-ekonomike dhe Anjën, maturante në shkollën “Gjergj Canco”, në drejtimin Teknologji dhe Informacion (TIK).

“Arsimi profesional është sot baza e suksesit të Gjermanisë, Zvicrës, apo Austrisë, dhe ndërkohë, është ende zonë jo shumë e kërkuar dhe ende e paragjykuar nga shumë prindër, të cilët mendojnë se në arsimin profesional ndodh një lloj kategorizimi më i ulët në krahasim me nxënësit që shkojnë në arsim të përgjithshëm”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri deklaroi se në vitet e fundit po kryhet një investim i madh në shkollat e arsimit profesional.

Ai u shpreh se po vihet theksi te konviktet. “Sepse është thelbësore që për ata nxënës që vijnë nga zonat rurale të mos u ofrohen më konvikte që nuk janë me kushte dinjitoze për fëmijët që duke ardhur në zona rurale vijnë nga familje me të ardhura më të ulëta dhe nuk mund ti lëmë të ndjehen si fëmijë të kategorisë së dytë“, u shpreh kryeministri.

Kjo, shtoi ai, “edhe për faktin se për shumë vite, arsimi profesional nuk ka qenë i gatshëm të bindë njerëzit me fuqinë e tij”.

Por, vijoi Rama, “është koha edhe për shkak të përmirësimeve që janë bërë, masave të marra, apo edhe për shkak të faktit se sidoqoftë sot ka më shumë informacion se sa kishte deri dje, dhe për të vërtetën se nxënësit e arsimit profesional, punësohen më lehtë dhe kanë një punë më të garantuar, është keqardhje të mos ketë më shumë shtysë drejt këtij arsimi”.

Kryeministri foli dhe për pagat në arsim, por ngriti shqetësim edhe fuqizimin e sistemit dual.

“Me pagat 950 euro është moment i mirë dhe ne do të vijojmë ti rrisim më tej. Ajo që më shqetëson është pjesa e fuqizimit të sistemit dual”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë