Nga Gazeta ‘Si’- Nga Forumi i Paqes në Paris, kryeministri Edi Rama u shpreh se vendet e Ballkanit nuk janë të vetmet që krijojnë probleme, pasi sipas tij tashmë edhe BE është në të njëjtin nivel.
Ai tha se ‘Europa është ballkanizuar’ dhe mori shembullin e Francës, për të cilën tha se “nuk po miraton dot buxhetin”, ndërsa për Britaninë e Madhe u shpreh se “është akoma më keq”.
“Është një ballkanizim i tërë i Europës. Tani ne jemi më të mirët. Është për të qeshur dhe ju themi pastaj bëni paqe, mos kërcënoni, komunikoni, bashkëpunoni sepse kjo është gjëja më e mirë për tu bërë, sepse vijmë nga ferri dhe jemi lajmëtarët. Nëse duan të na dëgjojnë le të na dëgjojnë, nëse nuk duan të na dëgjojnë mos ta na dëgjojë. Ne jemi në rregull me të dyja. Në fund të fundit kur bota të shpërthejë nuk do jetë faji i Shqipërisë. Nëse bota do bëhet më e mirë ne do themi bëmë pjesën tonë”, deklaroi ai.
Sipas tij, Europa nuk po zgjohet përballë konflikteve që kanë shpërthyer duke marrë në konsideratë luftën në Ukrainë dhe tha se kontinentit të vjetër i mungon një kanal komunikimi.
Ai theksoi se Europa duhet të ketë një plan paqeje për luftën në Ukrainë, gjë që deri tani nuk ka ndodhur me gjithë përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës.
Rama gjithashtu u pyet dhe për takimin mes presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe atij të Kinës, Xi Jinping si dhe për raportin mes dy superfuqive.
Ai nuk i kurseu batuat as në këtë rast duke thënë se nuk kishte kohë për t’i telefonuar dhe për t’i pyetur se çfarë planesh kishin. Kryeministri tha se një konflikt mes tyre nuk do t’i bënte aspak mirë botës.
“Unë nuk fola me ta sepse siç ju thashë isha në Riad dhe nuk pata kohe ti thosha çfarë do bëni nesër. Por vlerësimi imi është shumë i thjeshtë, çdo marrëveshje mes tyre është i mirë për të gjithë dhe çdo konflikt mes tyre është i keq për të gjithë.
E dini atë thënie që kur Amerika teshtin bota kollet, kur Kina teshtin bota futet në karantinë. Kështu që duhet të bëhen bashkë për më të mirën e botës”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



