Politike

Rama: Europa 2030 nuk është shpresë për ne, por destinacion

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në Forumin Ekonomik të Tiranës  iu bëri thirrje investitorëve të huaj që të investojnë në Shqipëri.

Para tyre, ai tha se realiteti në Shqipëri ka ndryshuar dhe se vendi ynë mbetet një destinacion me stabilitet, qartësi dhe drejtim.  

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë po hyjnë në një fazë të re bashkëpunimi strategjik.

“Shqiptarët dhe grekët kanë kuptuar se gjeografia është një mundësi dhe ne sot jemi të vetëdijshëm për këtë mundësi të re,” u shpreh ai, duke shtuar se Shqipëria po tregon vetëbesim dhe ambicie në arenën ndërkombëtare.

Sipas Kryeministrit, imazhi i vendit ka ndryshuar ndjeshëm: “Shqipëria nuk është më duke parë nga qoshja, por duke qëndruar me vetëbesim, ambicioze dhe largpamëse. Nuk shihemi më si një cep i largët, por si një vend ku gjërat ndodhin.”

Rama nënvizoi disa nga arritjet kryesore të viteve të fundit, duke përfshirë: Hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave me BE në kohë rekord; Dyfishimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto; Rritjen e vazhdueshme të sektorit të turizmit; Investimet në infrastrukturë; Luftën kundër korrupsionit; Rritjen e pagave; Rilindjen e industrisë ushtarake në vend.

“Transformimet nuk janë premtime, por fakte. Ne po ndërtojmë një ekonomi që matet prej vlerave dhe këtë mund ta themi me krenari,” deklaroi Rama, duke shtuar se ndryshimi po ndodh “hap pas hapi, mes punës dhe besimit.”

“Europa 2030 nuk është shpresë për ne, por destinacion”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha ndër të tjera se Porti i Durrësit do të bëhet një prej hub-eve më të rëndësishme në Detin Mesdhe. Ai foli edhe për revolucionin digjital, duke theksuar se ka ndryshuar mënyrën e qeverisjes në Shqipëri dhe atë se si operon biznesi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë