Ekonomi

Rama e paratha tkurrjen e thellë ekonomike 10%. Ekspertët: Rimëkëmbja e vështirë

Që në krye të herës kur bllokimi do të paralizonte anembanë globin sipas rregullave dhe urdhrave të qeverive respektive të vendeve, Institucionet Financiare, Organizmat e ndryshme dhe vetë qeveritë edhe pse në pasiguri të plotë dhe paqartësi, do të nisnin të kalkulonin dhe parashikonin ndikimet në ekonomi.

Do të kishte projeksione që nga më të moderuarat deri tek ato ogurzezat.

Por rezultatin e padëshiruar të prodhimit të ekonomisë që INSTAT publikoi një ditë më parë, ku për tremujorin e dytë të vitit ekonomia u tkurr me 10,3 %, iu afrua vetë kryeministri Rama.

Asokohe në fillim maj ku rregullat e izolimit nuk ishin lehtësuar ende, kur pjesa më e madhe e aktiviteteve ekonomike ishin të paralizuara, fryma e panikut ishte mbizotëruese dhe bizneset e qytetarët ushtronin presion për likuiditet, Kryeministri Rama do ti habiste të gjithë me parashikimet e tij të zymta për rritjen ekonomike duke projektuar një tkurrje prej 8-10 % për vitin 2020.

Më 6 maj, i ftuar në një emision televiziv kryeministri Rama do të thoshte se “Ne besojmë që goditja do të jetë më e thellë dhe këto do ta shikojmë. Kemi vënë disa instrumenta për përballimin e kësaj faze të parë. Nuk flitet më për jetesë normale, por për mbijetesë sa më normale. FMN ka parashikuar 5-5.5 për qind. Ne parashikojmë mes 8 dhe 10 përqindëshit për këtë vit do të kalojmë në negativ. Nuk ka asnjë që do të qëndrojë në pozitiv. Nuk quhet recesion, por është goditje momentale e ekonomisë”.

Pas kryeministrit do të raportonte parashikimet e saj në raportin e radhës Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Sipas saj ekonomia shqiptare do të tkurrej gjatë këtij viti si pasojë e krizës së shkaktuar nga COVID-19 me 9%. Pas kreut të qeverisë, BERZH do të bënte parashikimin më negativ për ekonominë shqiptare, e cila ndryshe nga deklaratat e kryeministrit, teknikisht dhe sipas ekspertëve ka hyrë në recesion sepse ka regjistruar për të tretin 3 mujor radhazi rënie.

Të njëjtin parashikim do të mbështeste edhe kreu i opzitës Lulzim Basha, i cili një ditë pas publikimit të raportit të BERZH, do të shkruante në tweeter:

“Ekonomia jonë pritet të tkurret me 9%, më keq se në çdo vend tjetër, sepse RAMAVIRUSI zgjodhi të paguajë me paratë e shqiptarëve miqtë e tij oligarkë dhe jo njerëzit e bizneset. Prej RAMAVIRUSIT njerëzit janë sot të papunë, të varfëruar dhe pa asnjë mundësi të përballojnë krizën”.

Ky është tremujori i tretë radhazi (-10, 23%) me rënie vjetore (tremujori i fundit 2019 -0.15%, tremujori i parë 2020 -2.5%).

Por kjo rënie ishte e pritshme sipas ekspertëve. Profesori dhe eksperti në fushën e ekonomisë Selami Xhepa në një bisedë me gazetën “Si” tha se pavarësisht shifrave të ndryshme të parashikuara, dihej që kriza do të afektonte shumë ekonominë.

Selami Xhepa, President i UET

“Si FMN, Banka Botërore, Instituti i Vjenës, OECD, BERZH i kanë dhënë vazhdimisht projeksionet e tyre në lidhje me ekonominë shqiptare, disa më të moderuara, BERZH-i më radikal, por pritshmëritë ishin. Ne aktualisht jemi në recesion. Duhet të kuptojmë që nuk është një krizë që efektet i ka afatshkurtër. Është një rrugë e gjatë përpara. Problemi është çfarë shohim në fund të tunelit. Vështirë të shohësh dritë teksa paketat e para nuk patën rezultat dhe qeveria nuk ka një strategji afatgjatë, një plan i mirëmenduar dhe i mirëstudiuar rimëkëmbje që fokusohet tek mirëqenia e qytetarëve. Por vihet në garë me opozitën cila ka programet më të bukura, por asnjë mekanizëm afatgjatë. “- shprehet eksperti Selami Xhepa.

Ai mendon se nëse nuk mendohet seriozisht për një strategji afatgjatë, pasojat do të jenë edhe më të rënda se parashikimet.

Sipas tij, duke u bazuar në një skenar që nuk do të ketë përkeqësim të situatës shëndetësore, ekonomia këtë vit do të tkurret me 7,5-8%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë