Vera relativisht e qetë e politikës shqiptare po i lë ngadalë vendin vjeshtës së trazuar dhe Edi Rama e Lulzim Basha e dhanë sinjalin se ku do të përqëndrohen për të goditur kundërshtarin në pikën më të dobët.
Në deklaratat e para, si Kryeministri, ashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike u përpoqën të bëjnë “diversion”. Rama ishte i pari që gjatë darkës me deputetët e ministrat e vjetër dhe ata të rinj çoi gjuhën atje ku u dhemb më shumë demokratëve. Ai mirëpriti rikthimin në Parlament të Partisë Demokratike, por tha se ajo rikthehet me një “cen” të madh, që Lulzim Basha, sipas tij nuk ka as kurajën dhe as vullnetin që ta shkulë.
”Do të vijë me dhëmballë të prishur, as nuk ka kurajo ta shkulë, as vullnet ta shqetësojë. Sa kohë dhëmballa do të jetë aty, fytyra e PD do të jetë e pavotueshme. Ne nuk e kemi pasur prej kohësh, edhe pse kemi lënë përshtypje, nuk duhet të kemi në fokus luftën me PD”, tha Rama.
Ky do të jetë prioriteti i socialistëve në mandatin e tretë qeverisës. Por, sezonin e ri politik, pavarësisht këtij zotimi Rama e hapi duke e ngacmuar Partinë Demokratike te dhimbja më e madhe që ka sot. Dhëmballa e prishur që i referohej Rama nënkuptohet lehtësisht që është Sali Berisha, ish-kryeministri i shpallur non grata nga SHBA, e për të cilin Yuri Kim i ka kërkuar privatisht e publikisht Lulzim Bashës që ta përjashtojë nga grupi i ri parlamentar.
“Do të ishte një ironi historike, por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”, tha Ambasadorja Kim pas një takimi me Lulzim Bashën në selinë e PD.
Ironikisht, me akuzën e shndërrimit të partisë në një mburojë të interesave personale të Bashës e Berishës u dorëhoq së fundmi edhe deputeti i zgjedhur i demokratëve, Mark Marku. Ai udhëhoqi fushatën e opozitës në Qarkun e Lezhës, një prej katër qarqeve ku opozita u shpall fituese.
Nëse do të marrim për të mirëqënë këtë pretendim të Mark Markut dhe nëse deri sot interesat e Bashës e Berishës pas 2013-s kanë ecur paralelisht me njëri-tjetrin, sot ato përplasen me interesat amerikane, të paktën sipas qëndrimit të Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Sali Berisha u shpall në maj “non grata” nga Departamenti i Shtetit për pengim të drejtësisë dhe përfshirje, sipas deklaratës që pasoi këtë vendim, në afera madhore korruptive. Do apo nuk do Berisha e Basha, ky vendim i DASH “njollos” misionin e PD në opozitë dhe Rama e di këtë.
Kryeministri, që për një kohë të gjatë zgjodhi të mos e komentojë vendimin e DASH, madje as kur Berisha e akuzonte atë drejtpërdrejtë se qëndronte pas këtij vendimi përmes lobimit dhe “furnizimit” të DASH me informacione të rreme, është në dijeni të dilemës së madhe në të cilën ndodhet Lulzim Basha.
Kryedemokrati duket se ja ka dalë mbanë që ta shtyjë në kohë vendimmarrjen për këtë dilemë, por shtyrja nuk mund të jetë e pafundme.
Basha duhet të vendosë nëse në Parlamentin e ri Berisha do të jetë pjesë e grupit parlamentar të partisë, apo jo. Vendimmarrja nuk është e lehtë dhe ajo vështirësohet nga qëndrimi i Berishës. Ish-Kryeministri, që thotë se ka nisur në Francë një betejë ligjore kundër Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, është kthyer pas në kohë përmes fotove e videove në Facebook-un e tij duke kujtuar ditët kur drejtonte PD dhe vendin.
Mesazhi është i dyfishtë. Së pari ai i drejtohet bazës së partisë dhe mbështetësve jo të paktë që ka ende në këtë bazë dhe së dyti i drejtohet Lulzim Bashës, si për t’i thënë se nuk ka ndërmend që të tërhiqet, të paktën jo pa “luftuar”. Kjo përplasje mund të çojë në një ndarje të madhe të PD, aq sa të rrezikojë edhe postin e Bashës në krye të opozitës, post që kontestohet nga kritikët e vendimeve të tij që prej 2013-s.
Rama e di këtë dhe “diversioni” i hedhur këtë fundjavë është benzina mbi zjarrin, që për momentin vlon ende pa flakë brenda PD. Me “diversion” iu përgjigj Lulzim Basha. Ai nuk iu drejtua mbështetësve të opozitës, por socialistëve duke i shkëputur ata nga Edi Rama dhe Qeveria e tij.
Në shënimin e tij të shkurtër, kryedemokrati thotë se beteja e opozitës nuk është kundër Partisë Socialiste dhe socialistëve të thjeshtë dhe akuzon Edi Ramën për kapje të shtetit, korrupsion dhe shkatërrim të ekonomisë.
“Por kundër pakicës së korruptuar që ka kapur shtetin dhe e plaçkit atë me një grusht të vogël njerëzish, me të cilët masakron zgjedhjet, kriminalizon politikën dhe shkatërron ekonominë. Shqiptarët ia dinë dështimet, raportet ndërkombëtare ia kanë ekspozuar babëzinë, askush nuk gënjehet nga ripërtypja e fjalimeve të vjetra të atij që ka varfëruar familjet shqiptare dhe ka degdisur gjysmë milioni shqiptarë”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.