Politike

Rama: Dumani nuk erdhi nga Hëna, por duhet të vinte PS në pushtet që të bënte reformën në drejtësi

Nga Gazeta ‘Si’- “Kjo lufta kundër korrupsionit, këto hetime e gjyqe që po zhvillohen si thua ti nuk kanë lidhje me asnjë plan, projekt, program e vullnet të PS?  Po të mos isha unë dhe PS ti nuk do i shihje këto”. 

Kështu iu përgjigj kryeministri Edi Rama një prej ndjekësve i cili e pyeste nëse kishte ndonjë plan për të luftuar korrupsionin.

Duke e cilësuar kurajoz dhe të ndershëm kreun e SPAK Altin Dumani, Rama tha se ai ka qenë edhe më parë prokuror këtu, por sipas tij duhet të vinte PS në pushtet që të bënte reformën në drejtësi.  

“Altin Dumani për të cilin kam respekt dhe ka solidaritetin tim e tonë përballë sulmeve kafshërore edhe deri kundër familjes së tij. Nuk ka ardhur nga Hëna, as nuk e kanë sjellë me avion nga Amerika e Europa kur u ngrit institucioni i SPAK. Ka qenë këtu, ka punuar prokuror. E kishe dëgjuar ti Dumanin atëherë? Jam i bindur që  i tillë ka qenë edhe atëherë i ndershëm dhe kurajoz. E kishe dëgjuar ti më parë? Pse nuk është thirrur Dumani? I dhamë organizmin e vetë PS për të përshkallëzuar luftën kundër korrupsionit dhe për t’i kërkuar drejtësisë të ndërhyrë kudo ku shikon të arsyeshme dhe për të pastruar shtëpinë tonë. S’të duket një plan ty?”

Rama solli në vëmendje sulmet nga kryeprokurorit të SPAK, të cilat i cilësoi kafshërore dhe tha se Sali Berisha dhe Lulzim Basha donin të pengonin reformën në drejtësi. Ai iu referua edhe deklaratave të fundit të Berishës që kur të vijë në pushtet do ta shkrijë SPAK-un.

“Po bufin e kënetës e gjithë këta “lulërat” i ke parë ti ç’bënin kur unë e PS donim të bënim reformën në drejtësi dhe si reagonin e si u përpoqën të reagonin? E dëgjon bufin se ç’thotë që më jepni votën, të shkrij SPAK?”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë