Politike

Rama: Duan t’i vënë kazmën Reformës në Drejtësi dhe llogores sonë të luftës kundër korrupsionit

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria që ai drejton, shembi arkitekturën e vjetër të drejtësisë me Reformën në Drejtësi ndërsa me procesin e vetingut, pastroi një pjesë të rëndësishme të sistemit.

“Ashtu siç ne e transformuam Tiranën, nga një ferr mbi tokë, në një qytet europian, me vizion kurajo dhe mundime, shumë të mëdha, ashtu ne kemi vendosur të transformojmë edhe drejtësinë në Shqipëri. Ashtu siç shembëm ato ngrehinat e shëmtuara, që kishin varrosur parqet nën barqet e tyre plot ujëra të zeza, ashtu kemi shembur arkitekturën e vjetër të drejtësisë me Reformën në Drejtësi. Dhe me Vetingun, kemi pastruar një pjesë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, të cilin e trashëguam nga ekzaktësisht nga po ata që trashëguam Tiranën e 25 viteve më pare”, deklaroi Rama gjatë një takimi me punonjës të bashkisë së Tiranës.

Rama tha se për këtë, opozita i ishte kundërvënë, njëlloj siç i ishte kundërvënë kur ndërtoi hyrjen e Tiranës te “Zogu i Zi”, apo sheshin “Skënderbej”.

“Dhe tamam ashtu siç na u kundërvunë me dhunën e injorancës së tyre dhe me llumin e kënetës ku kanë 30 e kusur vite që llokoçiten edhe kur nisëm të ndërtonim hyrjen moderne të ‘Zogut të Zi’, edhe kur nisëm të ndërtonim sheshin ‘Skënderbej’, duke ia vënë kazmën që të dyjave, për t’i zëvendësuar me shpifësirat e tyre antiqytet, ashtu duan t’i vënë kazmën edhe Reformës në Drejtësi, SPAK-ut dhe llogores sonë të luftës kundër korrupsionit”, u shpreh kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë