Analize

Rama dhe Mitsotaqis e hapin dosjen e detit në tetor në Athinë

Pas gati një viti “pushim” që nga dorëheqja e ish-ministrit Niko Kotzias, Shqipëria dhe Greqia duket se do të nxjerrin sërish nga sirtari dosjen e problemeve dypalëshë. Kjo dosje duket se zuri pluhur pasi ish-kryeministri Alexis Tsipras mori në dorë portofolin e Ministrisë së Jashtme, për t’u përqendruar tek marrëvshja e Prespës, por do ta hapet sërish nga qeveria e re konservatore greke.
Gjatë takimit të tyre të parë në Nju Jork, kryeministri Qiriakos Mistotaqis dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama ranë dakord të mbajnë në një diskutim më të gjerë të marrëdhënieve bilaterale, në margjinat e Samitit Euro-Arabik në Athinë. Të dy kryeministrat diskutuan per marrëdhëniet dy paleshe dhe integrimin e Shqipërisë në BE në prag të Samiti të tetorit.
Ky takim do të mbahet pasi të jetë marrë vendimi për negociatat, më 29-30 tetor dhe duket se do të risjellë edhe rinisjen e dialogut të çështjeve të hapura dy-palëshe. I pyetur nga IBNA në fund të takimit, Kryeministri shqiptar shprehu kënaqësinë e tij për takimin me homologun grek, por qeveria shqiptare nuk ka dhënë detaje nga ky takim.
Kryeministri grek nga ana tjetër, deklaroi pas shumë paralajmërimëve për vendosjen e vetos ndaj negociatave me Shqipërinë në Bruksel, se ishte në favor të pranimit të Ballkanit Perëndimor, me kusht që të përmbusheshin të gjitha kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Sipas burimeve qeveritare greke, Mitsotakis ka theksuar çështjen e së drejtës së vetëpërcaktimit dhe ka kërkuar, përmbushjen e kushteve që lidhen me të drejtat e pakicës kombëtare greke në Shqipëri.
“Në një takim me homologun shqiptar Edi Rama, të dy udhëheqësit diskutuan marrëdhëniet bilaterale dhe rrugën e pranimit të Shqipërisë. Mitsotakis theksoi çështjen e pakicës greke dhe të drejtat e saj pronësore në Shqipëri. Sipas burimeve të qeverisë Greke, Rama shprehu gatishmërinë për të punuar me Greqinë për këtë çështje me interes të veçantë për Athinën”, shkruan sot gazeta greke “Kathimerini”.
Nisja e diskutimet të çështjeve të hedhura në tavolinë ka të ngjarë të jetë një misioni i veshtire si për Ramën ashtu edhe për Mitsotaqis, duke marrë parasysh se ky i fundit ka kërcënuar disa herë Shqipërinë me veto për cështjen e minoritetit grek.
Duke parë pasqyrimin e këtij takimi në mediat greke, por edhe deklaratat e kryeministrit Mitsotaqis, si në kohën kur ishte në opozitë si tani që është në krye të qeverisë, mund të themi se fokusi i negociatave Tiranë-Athinë do të zhvendoset nga çështja e detit, tek të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë. Por kufiri detar, një prej çështjeve më të ndjeshme në bisedime, ka të ngjarë të mbetet "mina me sahat" në tryezën Rama-Mitsotaqis.

Kryeministri Qiriakos Mistotaqis


Çështja e detit, e cila mbeti në harresë për vite të tëra si për shkak të neglizhimit ashtu edhe për arsye ideologjike, u risoll sërish në vëmendje në pranverën e vitit 2017, kur së bashku me negociatat për emrin e Maqedonisë, Kotzias filloi edhe maratonën e bisedimeve me Shqipërinë. Tsipras dhe Rama duket se kishin gjetur gjuhën e përbashkët për kufirin detar, madje përflitej se marrëveshja për kufizimin e zonave detare dhe heqjen e ligjit të luftës ishte drejt përfundimit, por as pala greke dhe as ajo shqiptare nuk kanë dhënë detaje për përmbajtjen e këtyre marrëveshjeve, duke bërë që bisedimet të ishin gjithnjë të rrethuara nga misteri.
Vetë Mitsotakis deklaroi se nëse vinte në pushtet se do të punonte për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mbetura mes Greqisë dhe Shqipërisë në frymën e vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit, por është ankuar vazhdimisht se retorika e zjarrtë drejtuar publikut të brendshëm nga lidershipi politik i Shqipërisë nuk ishte konstruktive.
Gjatë kohës që ishte në opozitë, kryeministri konservartor grek ka dalë kundër marrëveshjes së detit të hartuar nga ish-ministrat Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, edhe pse një dokument i tillë nuk është bërë kurrë publik, por edhe ka paralajmëruar për bllokim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, pa u respektuar te drejtat e minoritetit grek dhe të pronave të tyre. Partia Demokracie e Re dhe vetë Mitsotaqis e kanë cilësuar marrëveshjen e vitit 2009 një “vepër arti” dhe nisi të përdorë termin tradhti ndaj Nikos Kotzias për diskutimet për çështjen e kufirit detar.
Duke parë retorikën e tij para dhe gjatë fushatës, duket tejet e vështirë që Mitsotakis të firmosë një marrëveshje të negociuar nga kabineti Tsipras dhe sidomos nga Nikos Kotzias, njëri prej ish-ministrave më të sulmuar prej Demokracisë së Re.

Për dinastinë politike Mitsotakis, marrëveshja e detit, e nënshkruar në 2009, mes Dora Bakojanisit (motra e tij) dhe Lulzim Bashës, si ministra të Jashtëm dhe Sali Berishës e Kostas Karamanlis si Kryeministra, është e duhura. Vetë Bakojanis e ka cilësuar pak muaj më parë atë pakt të arritur si një “vepër arti” në karrierën e saj si kryediplomate e Greqisë dhe hamendësonte se rrëzimi i marrëveshjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri ishte bërë me ndërhyrjen e Presidentit turk, Recep Taip Erdogan.
“Vrasja politike” e marrëveshjes të arritur mes Kotzias dhe Bushatit duket tanimë si skenari më i mundshëm, duke patur parasysh se Mitsotakis ka dalë disa herë kundër paktit të detit me Shqipërinë, duke akuzuar Aleksis Tsipras për diplomaci të fshehtë në dëm të interesave të Greqisë.
Këto akuza duket se gjenin jo pak argumente, duke patur paraysh se as Rama dhe as Tsipras nuk njoftuan se deri në çfarë pike kanë arritur negociatat, cilat janë çështjet që iu janë dhënë përparësi, dhe mbi të gjitha, në çfarë rrethanash dhe kushtesh do të arrihej pakti detar mes dy vendeve.
Gjatë dorëzimit të postit, Kotziaz shkaktoi jo pak kaos në Tiranë duke deklaruar se Greqia do të zgjeronte me 12 milje sovranitetin e saj detar. Në fakt në detin që ndan Shqipërinë me Greqinë është shumë e vështirë që të gjesh sipërfaqe detare ku ujërat territoriale greke të shkojnë 12 milje. Pjesa më e ngushtë është pjesa e Ksamilit, që është 1.8 milje. Pakti i ri i detit mes Ramës dhe Mitsotaqis do të ketë shumë sfisa, sidomos në ndarjen e zonave të pasura me naftë.

Çështja e minoritetit grek
Ajo që nuk ka dyshim është se të drejtat e minoritetit grek do të jenë fokusi kryesor i Athinës.
Mitsotakis ka përdorur shpesh një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë shqiptare, duke thënë se Tirana zyrtare duhet të respektojë të drejtat e tyre nëse dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Greqinë dhe nëse dëshiron të bëjë përparime në hapjen e bisedimeve të pranimit me BE. Sigurisht, në kohën që ai ishte lider i opozitës, këto deklarata nuk kishin shumë peshë në skenën politike shqiptare, por tani që do të negociojë marrëveshjen e re mes dy vendeve, do të jenë thelbësore.
Në të shkuarën ai ka paralajmëruar se Greqia do të kushtëzojë rrugën e integrimit të Shqipërisë me respektimin e të drejtave të minoritetit grek. Pika më shqetësuese që ka ngritur Athina është çështja e pronësisë. Sipas Qeverisë së re greke, minoriteti grek po diskriminohet nga Qeveria shqiptare.


Gjatë një konference me gazetarë vendas dhe të huaj në Selanik, në fillim të këtij muaji, Mitsotaqis e bëri të qartë se për Athinën, Qeveria shqiptare duhet të respektojë të drejtat e minoritetit grek që të ecë më tej në rrugën e integrimit.
“Nuk jemi ende atje dhe nuk kemi parë ende një progres të qenësishëm në këtë drejtim”, u shpreh ai, duke sqaruar se negociata nuk ka përsa kohë sjellja e qeverisë shqiptare nuk ndryshon. Mitsotaqis tha se këtë shqetësim e kishte ngritur edhe në kancelaritë kryesore të Bashkimit Europian përfshirë Parisin dhe Berlinin, në turin e fundit të vizitave që ndërmori.
“Jam plotësisht i vendosur në këtë çështje dhe ja kam njoftuar edhe Presidentit Macron, edhe kryeministrit holandez Route edhe kancelares Merkel”, u shpreh ai.
Kryeministri i ri grek paralajmëroi kushtet e reja për hapjen e negociatave me vendin tonë në një letër të drejtpërdrejtë për organizatën OMONIA. Mitsotakis ka deklaruar se respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri përbën kusht paraprak për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë