Kryeministri Edi Rama akuzoi se vendimi i Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje në Detin Jon po përdoret nga kundërshtarët e tij për të përhapur lajme të rreme.
“Rast tipik "falja e detit grekut", "marrja e detit nga greku", "ikja e detit tek greku", që është kthyer si ato këngët e vjetra që ringjallin emocione sa herë na dalin në youtube, pavarësisht se është një sajesë e vjetër tanimë, qyshse negociatat tona me palën greke po materializoheshin në një dokument konkret, bazuar mbi normat ndërkombëtare dhe të drejtën e detit”, thotë ai.
Kreu i mazhorancës thotë se kjo nuk është hera e parë që në Shqipëri deformohen deklarata të palës greke mbi të drejtën që gëzojnë për të zgjeruar me 12 milje ujërat e saj territoriale. Si rast të parë ai kujton deklaratën e ish-ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, bërë pak para dorëheqjes së tij nga ky post.
“Deformimi skandaloz që iu bë asokohe një deklarate publike të Ministrit të Jashtëm grek për "zgjerimin nga 6 në 12 milje të ujrave detare të Greqisë" dhe sulmi i orkestruar kundër marrëveshjes së re për detin, ishte tipik rasti i ushqimit të paditurisë si argument me helmin e nacionalizmit. E njëjta deklaratë, krejt korrekte, e kryeministrit Micotaqis këto ditë, po ushqen përsëri padinë si argument tradhtie të qeverisë sonë!”, vijon Rama.
Kryeministri shton se mbetet ende për t’u arritur një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë sa i takon kufirit detar dhe akuzon se përpjekjet për marrëveshje po sulmohen vetëm për shkaqe politike.
“Arsyeja pse nxitësit e sulmit kundër marrëveshjes sonë me Greqinë, e cila ende mbetet për t'u kryer në frymën e dialogut dhe të qasjes konstruktive nga të dyja palët, nuk e duan arritjen e marrëveshjes, s'ka asnjë lidhje me të vërtetën e marrëveshjes që ende nuk është finalizuar. Ajo është thjesht, vetëm dhe mjerisht, një arsye lufte për pushtet”, thotë Rama.
Kryeministri përsërit se zgjerimin me 12 milje, aty ku është e mundur, Greqisë ja njohin si të drejtë Konventat ndërkombëtare, në bazë të të cilave edhe Shqipëria ka bërë të njëjtën gjë që në vitin 1990.
Por, në mes ndodhet përcaktimi i kufirit detar mes dy vendeve. Rama premton në fund të reagimit të tij se as ai dhe as Partia Socialiste nuk punojnë në dëm të interesit kombëtar.
“Ky virtyt e ka karakterizuar këtë parti qysh ditën e lindjes së saj dhe ndryshe nga të tjerët, të cilët nga padituria a babëzia ose nga të dyja bashkë, e kanë cenuar më shumë se njëherë interesin kombëtar në këto 30 vjet pluralizëm demokratik”, mbyll reagimin e tij kreu i Qeverisë.
Në lidhje me këto zhvillime një koment e la edhe Presidenti Ilir Meta. Edhe ai premtoi se do të mbrojë deri në fund Kushtetutën dhe vendimin e 2010-ës të Gjykatës Kushtetuese, si një udhëzues për ndarjen e detit me Greqinë.
“Shqiptarët duhet të jenë të sigurt që Presidenti gjithmonë do të mbrojë Kushtetutën. Për çështjen në fjalë do të respektojë vendimin e Gjykatën Kushtetuese dhe këtë duhet të bëjnë të gjithë institucionet tona”, u shpreh Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.