Nga Gazeta ‘Si’– Nga kantieret e Korridorit VIII, kryeministri Edi Rama iu përgjigj disa komenteve në rrjetet sociale për hekurudhën kuqezi Durrës-Prishtinë.
I pyetur në rubrikën “Sy m’sy” sesa do të kushtojë, Rama tha se kjo do të përcaktohet pasi të bëhet ekspertiza ndërkombëtare e nivelit të lartë dhe më pas të miratohet nga Fondi Europian i Investimeve në Ballkanin Perëndimor.
“Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me fazën e re kur konsulentët austriakë kanë përcaktuar opsionin kalimit nga Shkodra, përmes Gjakovës në Prishtinë, si më të mirin prandaj ekipi ynë i përbashkët e ka parë të udhës mbylljen e kësaj faze.
Sa do të kushtojë do ta nxjerrë projekti i detajuar i cili do të bëhet nga një ekspertizë ndërkombëtare e nivelit të lartë dhe do të miratohet nga Fondi Europian i Investimeve të PB. Pa lekë hekurudha nuk bëhet dot dhe a do të mbarojnë apo jo këto projekte, këtë nuk e kanë në dorë ata që shajnë dhe tallen nga kafenetë e Tiranës dhe Prishtinës, por ata që punojnë në llogoron e të ardhmes”, tha Rama.
Ndër të tjera ai foli edhe për programin e hekurudhave duke thënë se në fillim të dekadës tjetër do të jenë të gjitha në punë.
Ai shtoi se vonesat e deritanishme të punimeve kanë qenë të lidhura me pozicionin e dobët të Shqipërisë, e cila sipas tij nuk merrej shumë seriozisht as nga BE dhe as nga bankat europiane të zhvillimit.
“Të gjitha nisin me radhë, por jo më vonë se në 2030. Në fillimin e dekadës tjetër do të jenë të gjitha në punë. Ne e kemi treguar që 3D-të tona janë thjesht hallka e parafundit e realizimit të një ëndrre dhe kthimit të saj në realitet”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




