Gazeta Si – Disa orë pas incidenteve në veri të Kosovës nga serbët, kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
Rama thotë se barrikadat e vendosura nga serbët e veriut të Kosovës, duke bllokuar rrugët, janë në kundërshtim me ligjin dhe komplikojnë akoma më shumë situatën.
“Sulmet mbi EULEX Kosovo janë të dënueshme pa asnjë ekuivok, ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj Policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë”, – shkruan kryeministri në rrjetet sociale.
Rama shton se shtyrja e zgjedhjeve në veri është tregues që Serbia të mos lejojë përshkallëzimin e konfliktit.
“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese”.
Kryeministri i bën thirrje Serbisë që të ushtrojë ndikimin mbi serbët e veriut të Kosovës, ndërsa kërkon që BE të thërrasë menjëherë tryezën e dialogut mes palëve.
“Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar asesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”.
Të njëjtin qëndrim ka mbajrtur edhe ministrja e Jashmte Olta Xhaçka, e cila shkruan se i dënon fuqishëm sulmet në veri të Kosovës ndaj EULEX dhe Policisë së Kosovës dhe se bashkohet me thirrje për heqje barrikadash.
“Dënojmë fuqishëm sulmet në veri të Kosovës ndaj EULEX dhe Policisë së Kosovës. Shqipëria i bashkohet thirrjeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë për heqjen e menjëhershme të barrikadave nga grupet serbe në veri. Është e rëndësishme të rivendoset qetësia dhe sundimi i ligjit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




