Politike

Rama debat me ndërtuesit: Me ju nuk ka paqe. Do më keni këmba-këmbës!

Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë takimit me sipërmarrësit, kryeministri Rama pati dhe një debat me ndërtuesit.

Ishte Erion Harizi nga Shoqata e Ndërtuesve, i cili i kërkoi qeverisë lehtësi në pagesën e taksës së infrastrukturës.

Por Rama tha se me ndërtuesit nuk ka paqe dhe as mbështetje. Kryeministri u shpreh se ndërtimi është sipas tij sektori me fitimin më të lartë në Shqipëri dhe tha se ndërtuesit akoma vijojnë të deklarojnë punonjës me paga minimale.

Ai pati kritika për disa ndërtues, që siç u shpreh Rama “marrin leje për të ndërtuar godina spektakolare dhe bëjnë një kafaz pëllumbash”.

Kreu i qeverisë u shpreh se ndërtuesit do ta kenë atë këmba këmbës.

“Ajo që ndërtuesit duhet të kuptojnë është se ky vendi i ka dhënë shumë më tepër se çfarë ndërtuesit po japin mbrapsht. Këto ndërtime që bëhen do të jenë aty për dhjetëra vite. Nuk tolerohet që ne ndërkohë miratojmë projekte të cilësisë së parë dhe kur i sheh në terren nuk ngjajnë fare. Është kriminale që njerëzit të paguajnë për të marrë një shpi dhe të mos marrin hipotekën se ndërtuesi luan me lejen.

Është shëmtuar Shqipëria në shumë pjesë të saj që nga ato katrahurat në Golem. Vjen merr një leje për të bërë një godinë spektakolare dhe bën një kafaz pëllumbash, po ku lejohet kjo. Mos ta vazhdojmë këtë bisedë që mos të kërkoj të shoh ndërtimet e tua. Mos na hap këtë muhabet. Paqe me ndërtuesit nuk ka. Më keni mbrapa këmba këmbës mua dhe gjithë ça janë që varen prej meje.

Mbështetje ju që akoma deklaroni punonjës me 500 mijë lekë kur e dimë shumë mirë dhe ti dhe unë që nuk ekziston punonjës me pagë minimale në ndërtim. Po nuk keni faj ju, po na ka lidhur duart Gjykata Kushtetuese para disa vitesh që nuk mund t’iu vendosim juve tavan dhe ju lozni.  Ju jeni sektori më me shumë fitim në Shqipëri, çfarë mbështetje kërkoni ju. Jeni sektori ku shfrytëzohet punonjësi më shumë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë