Analize

Rama braktis Erdogan për arabët?

Rastësia e deshi që në ditën që portali zviceran, “CH Aviation”, i specializuar për zhvillimet në industrinë e aviacionit, shkruante për “sekuestrimin” e avionëve “Air Albania” nga ana e “Turkish Airlines” dhe lënien në harresë të një projekti të trumpetuar me të madhe nga Kryeministri Edi Rama që në korrik të 2017, ta gjente këtë të fundit për një vizitë në Arabinë Saudite.

Rreth kësaj vizite të shefit të qeverisë në një prej pak vendeve të lëvduara nga Donald Trump, një grusht i vogël njerëzish ishin në dijeni. Vetë Kryeministri e prezantoi si zakonisht përmes ERTV-së në rrjetet sociale. Ai fliste për një pritje shumë miqësore të mbretit Salman ibn Abdulaziz Al Saudi, ku pas drekës zyrtare u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/377257809758164/

Se çfarë u nënshkrua mbetet ende e paditur , por në një postim të dytë, si gjithmonë në rrjetet sociale, Kryeministri fliste për “ekonomi, turizëm, trashëgimi kulturore dhe plane të përbashkëta investimesh, me vullnetin e çeljes së një kapitulli të ri bashkëpunimi mes dy vendeve”.

Por, përdorimi në këtë rasti i togfjalëshit (thuajse rutinë) “…me vullnetin e çeljes së një kapitulli të ri bashkëpunimi mes dy vendeve” ka disa pyetje. Së pari, takimi. Kryeministri vërtet u prit nga mbreti i Arabisë Saudite, por Salman ibn Abdulaziz al Saudi, sot 83 vjeç i ka kaluar që prej vitit 2015 gjithë pushtetin, si ekonomik ashtu edhe sigurinë, të birit dhe princit të kurorës, Mohammad bin Salman. Ky i fundit përcakton gjithë politikat mbi sigurinë, ekonominë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Arabisë Saudite dhe kësaj ja ka vënë vulën edhe Presidenti amerikan, Donald Trump.

“Ai është udhëheqësi i Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe ata kanë qenë dhe janë aleatë të vyer për ne”, deklaronte shefi i Shtëpisë së Bardhë më 11 dhjetor të 2018 në përgjigje të akuzave ndaj princit të kurorës së sauditëve për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Jamal Khashoggi u vra në ambientet e konsullatës saudite në Stamboll dhe rasti i tij pasoi përplasje të forta mes Turqisë dhe Arabisë Saudite. Vetë Presidenti turk, Recep Taip Erdogan gishtin e fajësisë e drejtonte nga Mohammad bin Salman dhe i akuzonte udhëheqësit sauditë ata se po pengonin hetimet e nisura nga pala turke dhe më vonë se Riadit po pengonte ekstradimin e vrasësve të gazetarit. Ai qortonte gjithashtu edhe Uashingtonin për “heshtjen” e tij në rastin në fjalë.

Kjo përplasje mes Turqisë dhe Arabisë Saudite ishte përvijim i marrëdhënieve gjithmonë të ndërlikuara dhe shpesh me përplasje të forta mes Ankarasë dhe Riadit. Molla e përhershme e sherrit mes dy vendeve është influenca mbi islamin, përmes të cilit kërkojnë që të rrisin influencën politike dhe ekonomike në vendet e tjera.

Megjithë përplasjet politike, dy vendet gëzojnë një marrëdhënie ekonomike të kënaqshme, pavarësisht se në opinionin turk, sauditët janë populli i fundit i preferuar mes botës myslimane, të paktën sipas një sondazhi të organizuar nga “PEW” në vitin 2013.

Por le t’i rikthehemi vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Arabinë Saudite. Përsa kohë nuk ka asnjë njoftim zyrtar të detajuar se çfarë u nënshkrua mes shefit të Qeverisë shqiptare dhe mbretit saudit të dalë në pension, lindin disa hamendësime. Hamendësimi i parë lidhet jo me vetëm me fatin e “Air Albania” dhe aeroportit të Vlorës, por me gjithë “romancën” Rama-Erdogan.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/569757146775912/

Në ditët e fundit të dhjetorit Gazeta "Si" ngriti pyetjen: A rrezikojnë të rrëzojnë “Air Albania” gylenistët? Deri më tani, koha, mediat zvicerane dhe heshtja e Qeverisë i ka dhënë të drejtë këtij hamendësimi të atëhershëm. Por shënon vizita e Ramës në Arabinë Saudite fundin e “miqësisë” Rama-Erdogan? Edhe kësaj pyetjeje koha do t’i japë të drejtë, por deri atëherë le t’i rikthehemi historisë së “Air Albania” dhe gylenistëve.

Pikërisht të ashtuquajturit “gylenistë” që strehohen në Shqipëri duket se janë ata që trazojnë raportet Rama-Erdogan.

“Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që mund të vijë nga Shqipëria dhe këtë presim edhe nga miqtë tanë shqiptarë. E kemi përcaktuar hapat që duhen hedhur për eleminimin e Fetos dhe veprimtarisë së Fetos që zhvillohet këtu. U kemi dhënë listat me emra miqve shqiptarë. Kërkojmë ekstradimin e tyre dhe e kemi bërë këtë me kërkesë zyrtare. Kemi paraqitur vendime gjykatash dhe vendimet përkatëse, sipas rregullave ndërkombëtare”, deklaronte në konferencën për shtyp me Ditmir Bushatin, kryediplomati turk, Mevlut Cavusoglu në tetor të vitit të kaluar.

Deklarata ishte edhe një përgjigje dhënë ish-ministrit të Jashtëm shqiptar, që tha se Shqipëria është solidarizuar me çka ndodhi në rrethanat e grushtit të shtetit, por është edhe vend anëtar i NATO-s, kandidat për në BE, aderon në disa dokumente ndërkombëtarë në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë ndiqet në rrugë diplomatike dhe jo në konferenca shtypi.

Këto ishin termat diplomatikë të përdorura nga Bushati asokohe, që në terma më të thjeshtë do të thotë se për gylenistët diplomacia shqiptare ndodhej në atë kohë nën presionin e Perëndimit nga njëra anë dhe Erdoganit nga ana tjetër.

Për muaj me radhë duket se loja është zhvilluar larg mediave dhe në atë konferencë dy diplomatët minimizuan përplasjet, por burime nga Ministria e Jashtme thanë për Gazetën “Si” se Ankaraja është e pakënaqur me autoritetet shqiptare përsa i takon realizimit të kërkesave të saj në lidhje me gylenistë që i akuzon si terroristë.

“Pakënaqësia” u reflektua në të gjitha sferat e një prej tyre është edhe Xhamia e Namazgjasë, një investim i qeverisë turke. Mediat turke kanë hamendësuar në disa raste se Presidenti Erdogan ka kushtëzuar pjesëmarrjen në ceremoninë përuruese të xhamisë me largimin e Skënder Bruçajt nga kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Bruçaj konsiderohet nga Turqia si pjesë e “gylenistëve”, ndërsa përurimi i xhamisë është sinjalizuar për në fund të 2019-s, një vit e gjysmë përtej afatit fillestar të vendosura mes dy palëve.

Presidenti Bujar Nishani, gruaja e tij Odeta dhe Presidenti i Turqise, Recep Tayyip Erdogan dhe gruaja e tij Emine, gjate ceremonisë së fillimit të punimeve të Xhamisë së Namazgjasë

Një tjetër tregues ishte përurimi i aeroportit të Stambollit. Disa muaj më parë në media qarkulloi lajmi se Meta dhe Rama ishin të ftuar që të dy në ceremoninë e përurimit. Por, në këtë ceremoni mori pjesë vetëm Presidenti i Republikës dhe jo Kryeministri.

Sigurisht, mungesa e Ramës mund të lidhet edhe me çështje protokolli, pasi të pranishëm atje ishin vetëm presidentë të vendeve të rajonit, përfshirë këtu Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por vështirë se kryeministri i Shqipërisë, në kushte të tjera do të mungonte në një ceremoni të tillë, duke e ditur që ishte pikërisht ai që përuroi urën e re të Bosforit në të njëjtën makinë me Erdogan, e për më tepër me Presidentin turk “shofer personal”. Për të mos harruar pastaj që Kryeministri i Shqipërisë ka qenë ndër 6 mijë personat e ftuar në dasmën e vajzës së Presidentit turk në 2016.

Të gjitha këto të bëjnë të dyshosh se janë shumëzuar me zero nga vizita e Ramës në Arabinë Saudite dhe mund të përkthehen edhe si një fitore e perëndimit ndaj Erdogan në lidhje me gylenistët “terroristë” që strehon Shqipëria.

Sa u takon marrëdhënieve me Arabinë Saudite, Shqipëria ka një traditë konstante. Që prej 1992, kur janë vendosur raportet diplomatike mes dy vendeve, sauditët kanë ruajtur një interes kryesisht ekonomik dhe fetar për Shqipërinë dhe asnjëherë u kanë qëndruar larg çështjeve të spektrit politik.

Por, marrëdhëniet me Turqinë rrezikojnë të kthehen në nivelet e vitit 2012, kur mediat turke citonin Recep Taip Erdogan, në atë kohë Kryeministër i Turqisë teksa fliste për “udhëheqës frikacakë në botë”. Deklarata, sipas këtyre mediave i referohej qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me kërkesën e Erdogan për të mos abstenuar në OKB në lidhje me kërkesën e Palestinës për t’u anëtarësuar si vend me të drejta të plota.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë