Politike

Rama bën fushatë për Erdoganin: Votojeni më 14 maj, vetëm përpara!

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama është shkëputur nga fushata e zgjedhjeve në Shqipëri për t’u bërë thirrje turqve që të votojnë pro mikut të tij, Rexhep Taip Erdogan.

Në hyrje të mesazhit të publikuar nga zyra e shtypit e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama thekson se Turqia është përpara një zgjedhjeje me rëndësi të madhe, sipas tij, jo vetëm për kombin dhe popullin turk, po edhe për Ballkanin dhe Europën.

“Është padiskutim detyra e qytetarëve të Republikës së Turqisë të zgjedhin liderin dhe qeverinë që duan. Askush nuk mund dhe nuk di ta bëjë këtë më mirë se ata. Por, në respekt të secilit e të secilës prej tyre, unë dua të shpreh konsideratën më të lartë për presidentin Erdogan, vizioni, kurajoja, vullneti dhe puna e palodhur e të cilit, e ktheu në sytë e krejt botës Turqinë në shembullin e një transformimi fantastik”, – shprehet Rama.

Rama shton se fuqizimi shembullor i Turqisë dhe krijimi i një vetëdijeje të re, te forca e kombit dhe e shtetit turk, nuk sollën vetëm plot të mira për Turqinë e për popullin e saj, “po krijuan edhe vështirësi të mëdha dhe kundërshti të forta, të cilat kulmuan me vënien deri në pikëpyetje të integritetit të institucioneve legjitime të Turqi, madje edhe të vetë jetës së presidentit Erdogan”.

“Unë e di se presidenti Erdogan ka kritikë të fortë, ashtu siç ka edhe mbështetës pasionantë dhe me siguri të dyja palët kanë arsyet e tyre legjitime, për të cilat sot Turqia po zhvillon një ballafaqim të zjarrtë.

Po unë dua vetëm t’ju them të gjithëve se në kohë kaq të vështira, jo vetëm për Turqinë, po për krejt botën e sidomos Europën, eksperienca dhe karakteri i presidentit të Republikës së Turqisë – roli i tij për lehtësimin e barrës së madhe të konfliktit në Ukrainë mbi rrugët e furnizimit me grurë të shumë vendeve të rrezikuara nga pesha e atij konflikti apo pesha e gjykimit të tij në përballjen me vatrat kërcënuese të terrorizmit – janë një aset tepër i çmuar, për të mos u marrë parasysh nga të gjithë ata që të dielën e ardhshme do të vendosin për drejtimin që do të marrë Turqia”, – thekson Rama.

Rama shprehet se për Shqipërinë dhe shqiptarët presidenti Erdogan është një mik i mirë i ditëve më të vështira, sipas tij që nga dita e vendimit për njohjen e Kosovës si shtet, që Turqisë ishte e para e cila e deklaroi sapo Kuvendi i Kosovës shpalli republikën, te tragjedia e tërmetit në Shqipëri, kur Turqia mbështeti qindra familje të prekura shqiptare me ndërtimin e shtëpive të reja apo mundësimi i vaksinave kundër virusit vdekjeprurës, kur të tjerët sipas kryeministrit Rama “ishin shumë të zënë me hallin e tyre”.

“Për mua personalisht presidenti Erdogan nuk është vetëm një mik i mirë në ditë të vështira, po edhe një lider politik shumë i veçantë, për faktin se thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Disa mendojnë se ai është shumë rigjid dhe i prerë.

Mbase kanë të drejtë, po mbase për këtë fazë të historisë së Turqisë dhe në këtë botë kaq të paparashikueshme, mospërkulja është pikërisht ajo që i është dashur e i duhet ende një vendi si Turqia, e cila në 14 maj duhet të vendosë mes vështirësisë për të vazhduar përpara dhe lehtësisë së kthimit mbrapa”, – thuhet në mesazhin e Ramës.

Rama shton më tej se “Duke i uruar Turqisë dhe popullit turk të gjitha bekimet e Zotit, uroj megjithë zemër që qytetarët turq të kenë parasysh në zgjedhjen e tyre edhe rolin e pazëvendësueshëm të Republikës së Turqisë në ekuilibrat e brishtë të kësaj kohe të vështirë për Ballkanin e për krejt Europën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë