Politike

Rama: Becchetti nuk ka marrë asnjë qindarkë! Vazhdojmë betejën ligjore

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Kuvendi se Shqipëria nuk ka paguar asnjë qindarkë nga gjoba prej më shumë se 100 mln eurosh që ka fituar në Arbitrazh biznesmeni kontravers italian, Francesco Becchetti.

Deklarata e Ramës u bë gjatë një debati me deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Tabaku tha se Shqipëria po paguan 385 mln euro fatura nga arbitrazhet e humbura dhe fajësoi Qeverinë për këtë. Në këtë shumë, deputetja futi edhe gjobën e fituar nga Becchetti.

Por, sipas Ramës beteja ligjore me Becchettin vazhdon ende.

“Ballafaqimi vazhdon që të jemi të qartë. Vazhdon në çdo hapësirë ku ka mundësi të zhvillohet një ballafaqim legal, kështu keqardhje për ju zonja Tabaku se ju edhe mbani shumë shënime dhe për një njeri që lexon shumë, të flasë për 385 milionë euro që nuk ekzistojnë është pak e sikletshme”, iu drejtua Rama deputetes së PD-së.

Në fund të muajit mars, gjykatat belge bllokuan rreth 19 mln euro për llogari të biznesmenit italian. Shifra përkon me të gjitha të ardhurat që Albcontrol ka akumuluar përgjatë vitit të kaluar, kur trafiku ajror ka qenë 30 për qind më pak se në 2019-n, para pandemisë.

Vendimi i gjykatës i jep të drejtë Becchettit që të sekuestrojë edhe të ardhurat që do të akumulohen përgjatë këtij viti, deri kur biznesmeni të ketë arkëtuar të gjithë gjobën prej 100 mln eurosh që fitoi në Arbitrazh ndaj Shqipërisë për mbylljen e televizionit Agon Channel.

Sipas legjislacionit shqiptar, AlbControl është shoqëri me vetëfinancim dhe burimi kryesor i të ardhurave të saj mbërrin nga tarifa e kalimit në hapësirën ajrore, që paguhen nga kompanitë e fluturimit te EuroControl. EuroControl e shpërndan shumën te agjencitë anëtare në bazë të trafikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë