Politike

Rama: BE nuk është ‘bankomat’, dera mund të mbyllet

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ndërsa foli për integrimin në BE, e konsideroi atë një derë të hapur në të cilën shqiptarët duhet të hyjnë shpejt.

Ai tha se anëtarësimin në BE duhet ta shikojmë më shumë sesa një ‘bankomat’ pasi, sipas tij, ky integrim për shqiptarët është të qenit përfundimisht të lirë nga hija e historisë.

“Ne nuk jemi perëndimorë të përkëdhelur nga fati. Ne nuk jemi rritur si ata në Europën e viteve 70-80. Ne jemi rritur në ferr dhe e dimë shumë mirë se BE-ja është shumë më tepër se një bankomat. Ne e dimë shumë mirë se BE-ja është vendi i shpëtimit tonë nga historia jonë” tha ai.

Sipas tij, qysh prej vitit 1983, BE nuk ka qenë më popullor brenda perimetrit të vet, në këndvështrimin e popujve të vet, sesa aktualisht.

Rama përmendi edhe Perandorinë Otomane, duke thënë se Shqipëria u shkëput prej saj pasi ajo u nda nga vetvetja, por shtoi se “ne i qëndrojmë besnikë perandorive”.

Duke bërë një analogji me BE, ai tha se edhe nëse një ditë BE shpërbehet, qendra do të krijohet në Shqipëri.

“Që nga viti 1912, kur jemi bërë të pavarur dhe kemi krijuar qeverinë e parë. U ndamë të fundit nga Perandoria Otomane. Ne ndahemi nga Perandoritë kur ndahen nga vetvetja. Kështu do jete edhe me BE

Nëse një ditë do çmendeni dhe të shkatërroni BE. Ne nuk e lëmë BE, do krijojmë qendrën këtu në Shqipëri. Brukseli do të jetë në Tiranë. Kush të dojë të rrijë, kush mos të dojë mos të dojë. Ne prapë do të jemi të fundit”, tha ai.

Në fund u ndal edhe tek skepticizmi sipas tij, që pati gjatë nisjes së punës së Komisionit Anti-Korrupsion.

Ai tha se “disa nga përfaqësuesit e huaj në Shqipëri, u ‘infektuan’ nga opozita në Shqipëri për teoritë konspirative por prej kur komisioni ka nisur punën, jemi pozicionuar më mirë si asnjëherë në fushën e mirëqeverisjes dhe anti korrupsionit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë