Nga Gazeta ‘Si’- “Është hera e parë që yjet tona janë në një linjë me yjet e BE-së edhe për të ardhmen edhe për të tashmen”, tha kryeministri Edi Rama.
Ndërsa foli për rëndësinë e procesit të integrimit në Bashkimin Europian, ai tha se është i surprizuar nga sipas tij, gatishmëria e BE për të anëtarësuar Shqipërinë.
“Tani po jetojmë në një moment ku Brukseli dhe BE na kanë surprizuar me vullnetin e tyre të fortë dhe gatishmërinë e tyre për të na marrë brenda. Kur kujtoj që prej herës së parë kur e nisëm këtë rrugëtim të gjatë më shumë se 30 vite më parë, është hera e parë që kujtoj që yjet tona janë në një linjë me yjet e Bashkimit Europian.
Jo vetëm sa i takon të ardhmes e perspektivës, por edhe sa i takon së tashmes. Kjo lidhet jo vetëm me punën tonë të mirë, por edhe me situatën e përgjithshme në BE dhe më gjerë. Dera është e hapur”, tha Rama.
Ai përsëriti se shqiptarët duhet të përfitojnë nga ky shans pasi dera e BE mund të mbyllet sërish.
“Kështjella hap dyert dhe pastaj mbyll dyert. Ka nga ata që janë më të shpejtë, që kanë hyrë dhe e kanë gjetur brenda veten kur dera është mbyllur dhe ka nga ata që e kanë gjetur veten jashtë”, tha Rama.
Nga e njëjta tryezë Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato theksoi se procesi i integrimit përfshin të gjithë shoqërinë, jo vetëm qeverinë dhe Kuvendin.
Ai u shpreh se Shoqëria Civile duhet të ketë një rol aktiv në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.