Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria duhet të rishpikë veten në dy vitet e ardhshme në procesin për përmbylljen e kapitujve negociues me Bashkimin Europian.
Nga Brukseli, ai theksoi se Shqipëria me ndihmën e BE do të marrë dijen e nevojshme për ndërtimin e institucioneve dhe shtetin e së drejtës.
Rama tha se Shqipëria ka shënuar një rekod me hapjen e 5 grupkapitujve në 11 muaj.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, me Marta Kos dhe ministren daneze Bjerre, Rama tha se kjo është hera e parë që Shqipëria zgjedh lirisht me kë do ‘të martohet’, duke thënë se kjo është perandoria në të cilën duam të jemi pjesë.
“Dua të them se na erdhi shumë mirë kur pamë barometrin dhe kuptuam që populli danez është mes mbështetësve më të mëdhenj të anëtarësimit tonë. Të jep mjaft siguri kur ke në krahun tënd vikingët. Presim me padurim të çelim grupkapitullin e fundit para mbylljes së këtij viti. E di që është ambicioze, por është ajo që duam të bëjmë.
Ashtu siç e theksoi edhe Marta Kos, kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një shpërblimi njëherë e përgjithmonë, por të realizojmë çdo ditë. E dimë që ka sfida, që duhen bërë shumë përpjekje, por e dimë që nuk ka asnjë rrugë tjetër”, shtoi Rama.
Ndërkohë, komisionerja për zgjerimin Marta Kos, vlerësoi si mbresëlënese ecurinë e Shqipërisë me reformat drejt BE-së.

“Shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse, është hera e katërt që çelim negociata edhe pse nuk kam bërë ende një vit në detyrë. Ka mbetur edhe një dhe nuk kam dyshim se do e bëjmë së shpejti. Po të përdorja termin olimpik do ishte: Më shpejt, më lart, më fort, një punë në ekip.
Ky rezultat është rjedhojë e qeverisë shqiptarë për të çuar para reformat. Shqipëria po tregon se ndryshimi pozitiv është i mundur. BE e mbështet këtë zhvillim, vijoni kështu.
Do nisim të mbyllim kapitujt sa më shpejt të jetë e mundur, për t’i përmbushur të gjithë brenda 2027.
Ka mes tyre në vendet kandidate që mbështesim më shumë anëtarësimin, 91 % e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin, 92 % i besojnë BE-së. E ardhmja e Shqipërisë është në BE nuk ka dyshim, dhe sot jemi një hap më pranë për të arritur këtë objektiv”- u shpreh Kos në konferencën e përbashkët nga Brukseli.
Ndërsa ministrja për Çështjet Europiane e Danimarkës, Marie Bjerre, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit.

“Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha ndër vite, veçanërisht me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe përafrimin me politikën e jashtme të Bashkimit Europian,” deklaroi Bjerre.
Ajo theksoi se Shqipëria e sheh të ardhmen e saj brenda BE-së, duke vlerësuar faktin që vendi ka prodhuar rezultate konkrete.
Duke e konsideruar ditën e sotme si “një gur kilometrik” në rrugën drejt integrimit, Bjerre u shpreh se megjithëse puna nuk ka përfunduar, progresi është i prekshëm.
“Sigurisht, nuk jemi ende në vijën e finishit – ka ende shumë punë përpara – por sot është një moment i rëndësishëm,” tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



