Eskorta e Kryeministrit Edi Rama hyri nga pedonalja “Murat Toptani” nën masa të rrepta sigurie për t’iu drejtuar sallës Kuvendit të mbushur vetëm me deputetët socialistë. Fjalën e nisi duke u kërkuar ndjesë që doli në foltore i pari. Arsyet për këtë i shpjegoi me nevojën për të udhëtuar përtej Adriatikut, ku kishte një mision.
“Të shpjegoj për publikun e Italisë se çka lajmet kanë shfaqur me ato pamje të shëmtuara dhe shqetësuese nuk është një protestë popullore, por një reagim brenda pallatit të politikës nga ajo pjesë e tërësisë së përfaqësisë politike të popullit shqiptar, që për asnjë moment s’pati sensin e realitetit dhe reflektimit mbi vetveten në radhë të parë”, tha ai.
Rama akuzoi opozitën për verbëri politike, që e shtyu në vetëvrasje dhe më pas u kthye dy vite pas në kohë për të rrëzuar, sipas tij, të gjitha alibitë e vendimit ekstrem të djegies së mandateve dhe protestës opozitare.
“Ky që shohim sot është sezoni i ri i një seriali të njohur. Saktësisht dy vite më parë në këtë periudhë në bulevard u ngrit një çadër dhe nga ajo çadër nisi një rrugëtim për të ndërtuar një Republikë të re me kushtin e panegociueshëm për një qeveri pa Edi Ramën Kryeministër dhe tranzitore për të garantuar zgjedhje, sipas dëshirës së atyre që sot janë larguar përfundimisht nga ky Parlament”, vijoi ai.
Pavarësisht se nuk ishte i detyruar, Rama tha se në atë kohë bëri një hap pas, duke marrë mbi supe koston e pakënaqësisë së socialistëve.
“Morëm mbi vetë pakënaqësinë e pjesës dërrmuese të mbështetësve tanë dhe ata morën Ministrinë e Brendshme, morën të gjithë ministritë që kërkuan, arsimin, shëndetësinë, financat me idenë që këto ministri ishin elektorale dhe Partia Socialiste mund t’i përdorte për qëllime elektorale, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse këtë gjë e kishin bërë vetë kur kishin qeverinë. Morën për herë të parë kryetarin e KQZ-së dhe kishin shumicën në KQZ dhe për herë të parë u zhvilluan zgjedhje, ku Kolegji Zgjedhor mbeti pa punë. Asnjë ankesë, zero”, u shpreh ai.
Rama kujtoi ujdinë e 17 majit 2017 dhe nënkuptoi se kjo ujdi u shkel nga Lulzim Basha. “Kërkuam vetëm dy gjëra, kush fiton qeveris, kush humbet pranon rezultatin dhe bën opozitën dhe e dyta, jo më sharje dhe baltë për Shqipërinë në gjuhë të huaj. Nuk kishim asnjë kërkesë tjetër”, vijoi ai.
Kryeministri akuzoi opozitën se po bashkëpunon e financohet nga grupe interesi, që sipas tij humbën privilegjet dhe betejën me Qeverinë e tij në përpjekje për të bërë shtet.
“Mandati ynë nuk është një letër bixhozi. Ne me të nuk luajmë bixhoz siç luajnë ata, pas të cilëve qëndrojnë grupe interesash që janë mundur në betejën tonë për të bërë shtet, që nga grupi i financuesve të bixhozit dhe me radhë grupe të tjera që kanë të drejtën e tyre të jenë të revoltuar me këtë qeveri dhe humbjen e shumë privilegjeve”, deklaroi Rama.
Ai foli për elementë dhe ish-drejtues të kompanive të lojërave të fatit që po i qëndrojnë në ballë protestës së opozitës. Rama është i bindur për të mbyllur mandatin, pavarësisht protestave të opozitës.
“Çfarë do të ndodhë me ata që janë jashtë është një pyetje që zgjedhësit e tyre duhet t’ua bëjnë. Përsa na takon ne jemi këtu për të vijuar punën dhe detyrën tonë. Ky Parlament është vendi ku na ka sjellë shumica e shqiptarëve që na kanë dhënë detyrën që të qeverisim deri në vitin 2021”, u shpreh ai.
Rama sheh dy anë në medaljen e djegies së mandateve nga ana e opozitës.
“Mbase është një e keqe e madhe që ata i kanë bërë vetes, për një të mirë të madhe për vendin. Është koha që mbase shqiptarët të shohin se ata nuk janë e vetmja zgjidhje dhe zgjedhje, ka të tjerë”, thotë ai.
Me këtë, Kryeministri nënkupton se opozita nuk është e pazëvendësueshme në Kuvend. Por kush janë të tjerët?
“Janë këta që kanë ardhur këtu, janë të tjerë që do të vijnë”, sqaroi ai, duke iu referuar kandidatëve nga radhët e PD dhe LSI, që refuzuan mosmarrjen e mandateve. Katër prej tyre u betuan në Kuvend dhe për Kryeministrin ata janë opozita e re.
“Me opozitën në Kuvend do të dialogojmë dhe gjejmë konsensus për reformat që duan shumicë të cilësuar, që nga Reforma Zgjedhore tek Vota e Emigrantëve”, deklaron Rama.
Dialogu me opozitën jashtë Parlamentit nuk përjashtohet, por është i kushtëzuar. “Me ata jashtë Kuvendit jemi gati të dialogojmë kur e sa të duan, po nuk negociojmë as bazat e demokracisë, as mandatin e këtij Parlamenti”, thotë kryesocialisti.
Në fund të fjalës, Kryeministri tha se jo vetëm zgjedhjet vendore të 30 qershorit do të zhvillohen, por tha se në to Partia Socialiste do të ruajë të gjitha bashkitë që ka dhe synon edhe marrjen e gjysmës së bashkive që sot kontrollon opozita, megjithëse ambicia është akoma më e madhe.
“Ne duhet t’i fitojmë që të gjitha bashkitë pa asnjë dyshim. Duhet t’i fitojmë që t’i mundësojmë qytetarëve edhe në Kukës, edhe në Shkodër, edhe në Tropojë një qeverisje normale me njerëz që dijnë të realizojnë zhvillimin urban”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





