Politike

Rama bashkive: Hapni zyra juridike për aplikimet e pasakta në kadastër dhe legalizime

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama, në një takim me kryetarët e bashkive, theksoi nevojën për një angazhim më të madh të pushtetit vendor në procesin e legalizimeve dhe përmirësimin e shërbimeve të kadastrës. 

Rama tha se mungon një qasje e unifikuar nga bashkitë në këtë proces, duke nënvizuar se është e domosdoshme që ato të përfshihen më aktivisht.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse për kadastrën janë udhëzuar të hartojnë plane prioritare për legalizimet, duke vendosur një sistem të qartë renditjeje. 

Në këtë kuadër, aplikimet më të hershme duhet të marrin përgjigje përpara atyre më të vonshme.

Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e përcaktimit të zonave prioritare, në mënyrë që procesi të jetë më efikas dhe i koordinuar.

“Element tjetër është mungesa e një angazhimi uniform të bashkive për legalizimet. Bashkitë është e nevojshme të angazhohen në këtë proces. Për institucionin e kadastrës kemi lenë porosi të hartojnë planet prioritare të legalizimit, duke vendosur një sistem. Për të vendosur se ata që kanë aplikuar më parë, duhet të marrin përgjigje më parë se kush ka aplikuar më pas. Duhet të përcaktohen zonat prioritare, për të pasur një punë më të mirë dhe të koordinuar.

Bashkitë gjithashtu duhet të hapin një zyrë juridike të kadastrës. Ka shumë ankesa për kadastrën dhe këto vijnë si rezultat i kryerjes së aplikimeve në mënyrë jo korrekte ligjore.

Nuk ka asnjë problem që bashkitë të hapin një zyrë juridike për kadastrën dhe legalizimin, sepse kjo do të lehtësojë qytetarët për të kryer një aplikim në kadastër apo për legalizime.

Njësitë administrative kanë hapur zyrat për t’u shërbyer qyteteve për aksesin në e-Albania. Por jo në të gjitha bashkitë kjo gjë është e organizuar mirë për qytetarët. Kjo sjell që duke qenë shërbimi falas qytetarët të shkojnë të paguajnë për të aksesuar e-Albania”.

Gjatë takimit kryeministri Edi Rama tha se është bërë progres për zbatimin e paketës maleve, në përcaktimin e zonave prioritare. 

“Vetëm për një bashki janë llogaritur 5 mln euro për 10 aplikimet e para nga persona që janë në emigracion”.

Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te projektet konkrete të modernizimit të bashkive, duke përmendur flotën e re të automjeteve për menaxhimin e ujërave dhe përmbytjeve, sistemin e adresave, si dhe zgjerimin e laboratorëve teknologjikë në shkolla. Ai theksoi se këto projekte do të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe do të rrisin efikasitetin e bashkive.

“Kemi nisur një proces me të gjitha ekipet drejtuese të ministrive për të analizuar situatën në lidhje me prioritetet dhe problematikat në këtë fazë të qeverisjes.

Për këtë arsye, vendosëm të zhvillojmë këtë takim me Ministrinë e Pushtetit Vendor, e cila ka skuadra të angazhuara në nivel lokal.

Ndër prioritetet e axhendës së përbashkët është përgatitja e një projekti për të vënë në dispozicion të bashkive një flotë të re automjetesh për pastrimin e kanaleve, si dhe për punët parapërgatitore për ujitjen dhe për lehtësimin e pasojave nga përmbytjet. Mbështetja financiare për këtë projekt do të sigurohet nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Alokimi i flotës do të bëhet mbi bazën e disa kritereve të përcaktuara.

Një tjetër pikë e rëndësishme është puna që ka nisur për finalizimin e sistemit të adresave, ku të gjitha bashkitë duhet të angazhohen seriozisht në detyrat e tyre dhe të koordinohen me Ministrinë e Brendshme.

Sa i përket mbrojtjes nga zjarri, është miratuar një projekt i paraqitur nga Ministria e Pushtetit Vendor për financimin e nevojshëm, ndërsa bashkive do t’u vihen në dispozicion automjete zjarrfikëse.

Një element tjetër i rëndësishëm i projektit për modernizimin e bashkive lidhet me laboratorët teknologjikë në shkolla. Nga mbi 300 që është aktualisht numri i tyre, synohet që të rritet në 1,000”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë