Politike

Rama: Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere apo lëmoshë! Po tregon se është gati për BE

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria e Ballkani Perëndimor nuk kërkojnë lëmoshë.

Në samitin për Planin e Rritjes, Rama tha se sipas tij Ballkani Perëndimor po bën siç duhet detyrat e shtëpisë dhe deklaroi se BP kërkon të hyjë në Europë si kontribuuese dhe jo si përfituese.

“Kur vijnë investimet, emigracioni ulet. Kur mundësitë rriten në vend, Europa nuk do bëhet rrugë ikjeje. Ballkani Perëndimor është një rajon që kërkon të rritet me Europën dhe jo në kurriz të Europës. Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere. Çdokush vjen me krenari, që të ofrojë djersë dhe punë. Ne nuk kërkojmë lëmoshë. Ne po japim rezultate.

Nuk ka kuptim, që Europa të jetë e fortë, pa qenë e fortë dhe pjesa e Ballkanit Perëndimor, që ka qenë historikisht pjesë e këtij kontinenti. Po ecim me detyrat tona të shtëpisë të plotësuara në çdo hap. Ne duam të hyjmë në BE si kontribuues për ekonominë, për sigurinë. Për sigurinë e BE, zgjidhni një ballkanas. Për sigurinë e Europës, zgjidhni ballkanasit. Ne mund të jemi truprojat e Europës”, tha Rama.

Sipas Ramës, Ballkani Perëndimor ka zgjedhur të ecë me forcat e bëra bashkë, me Planin e Rritjes që garanton një treg të përbashkët.

“Sot më lejoni të rendis disa fakte konkrete që duken si shtatë dyer për t’u çelur mes BP dhe Europës, tarifat roaming do të përfundojnë në 2026-ën, ne e kemi hequr tarifën e brendshme. Do të jetë suksesi ynë i ardhshëm pas SEPA-s, roaming nuk ka të bëjë me fatura telefonike, por me heqjen  e një kufiri tjetër digjital për qytetarët tanë”, deklaroi Rama, duke theksuar se “identiteti digjital në Shqipëri është gati”.

“Kur BE të nisë me të, në 2027-ën, ne do të jemi aty në pritje”, theksoi ai, referuar kësaj fushe me mjaft rëndësi.

Më tej, u ndal edhe te marrëveshja e kontributeve mes KE-së dhe Bankës Botërore.

“Kjo nënkupton radhë më të shkurtra, kamionë më të shpejtë e konkurrueshmëri më e lartë.”

Foli edhe për nisma WiFi4WB (Wi-Fi për Ballkanin Perëndimor), e cila do të ofrojë hotspote Wi-Fi falas për deri në 500 komuna në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Kështu duket integrimi në jetën e një gjysheje në Kukës apo një studenti në Prishtinë”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë