Nga Gazeta ‘Si’- Seanca e sotme në parlament nisi sërish me debate.
Ndërsa kryeministri Edi Rama mori fjalën për të prezantuar buxhetin e vitit 2025 i cili pritet të miratohet nesër në parim, opozita u ngrit në këmbë duke goditur tavolinat dhe duke mos e lejuar Ramën që të flasë.
Rama u kërkoi ligjvënësve demokratë të uleshin, por në momentin që nuk pranuan i bëri thirrje kryeparlamentares për 5 minuta pushim, që u aprovua nga Elisa Spiropali.
Rama dha lajmin se qeveria do të çlirojë një fond prej 100 milionë euro për bonusin e fundvitit për pensionistët.
“Dua t’u përcjell të gjithë pensionistëve të Shqipërisë lajmin e mirë se në ditët në vijim qeveria do të çlirojë një fond prej afër 100 mln eurosh për bonusin e tyre të fundvitit që do të ndahet në 2 shkallë.
Ata që kanë një pension deri në 20 mijë lekë të reja, do të marrin 3 fishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri prej 150 euro, ndërsa ata që kanë pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin 2 fishin e viteve të mëparshëm, pra 100 euro.
Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre me pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë pension më të ulët”, tha Rama.
Rama gjithashtu tha se përveç atij të fundvitit, do të marrin edhe një bonus në pranverë.
"Paralelisht, në ditët para dhjetorit do krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një bonusi të dytë. Ky do jetë bonusi i pranverës që do të jepet në hyrje të çdo pranvere, duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përftuar nga rritja e ekonomisë.
Vitin e ardhshëm do kemi edhe planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes ekonomike që do të sjellë edhe të ardhura të tjera për pensionistët. Vetëm me këto dy bonuse plus indeksimin automatik të pensioneve, pensionistët tanë do të mund ta prekin menjëherë rritjen shembullore të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit europian brenda kësaj dekade”, tha Rama.
Teksa përmendi bonuset për pensionistët dhe bebet e porsalindura, Rama premtoi 0 ndryshim taksimi për biznesin e vogël deri në fund të mandatit të katërt tha ai.
“Kemi financuar mbi 145 mln euro për bebet e porsalindura dhe 22 mln euro të tjera janë në buxhetin e ri për bebet që do na gëzojnë me ardhjen e tyre gjatë 2025. Kemi ulur borxhin publik me 15 pikë përqindje dhe për të ardhur deri këtu na u desh ta rirrisnim borxhin dy herë kur u goditëm nga tërmeti e pandemia. Zero taksë e zero Tvsh për biznesin e vogël deri 100 mijë euro xhiro. Zero taksë për biznesin me 140 mijë euro xhiro. Ndërkohë që biznesi me 30 mijë euro xhiro paguante taksë. Jemi zotuar se deri në fund të mandatit të katërt asnjë ndryshim të taksimit të biznesit të vogël nuk ka në mandatin e ardhshëm. Nuk i kemi rritur taksat për biznesin, gjatë gjithë qeverisjes sonë rritja e vazhdueshme dhe e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimi i të ardhurave të shtetit na kanë mundësuar rritje pagash domethënëse”.
Sipas Ramës, “në buxhetin 2025 fondi i pagave është më shumë se dyfishi, 31 miliardë euro. Nga një pagë minimale 156 euro, kemi sot 400 euro. Kemi pagë mesatare 751 euro”.
Rama iu përgjigj edhe akuzave që qeveria e tij nuk mbron shtresat në nevojë. Sipas tij është dyfishuar fondi për mbrojtjen sociale në krahasim me vitin kur morën drejtimin e vendit.
“Të gjitha të rritura dyfish e gjysmë. E dëgjoj shpesh që ne nuk i mbrojmë shtresat në nevojë por çfarë thotë buxheti 2025? Nga 122 miliardë lekë për mbrojtjen sociale kur nisëm rrugën tonë, këtë vit kishim 238 miliardë dhe në buxhetin 2025 kemi 248 miliardë. Edhe këtu jemi mbidyfishin me afro 2.5 miliardë euro për mbrojtjen sociale. Po t’u shtosh bonusin e pranverës do të jenë edhe më shumë. Shqipëria sot ka dalë mbi ujin ku ishte zhytur prej dekadash dhe është pranë realizimit të ëndrrës europiane. Shteti mbledh shumë më tepër të ardhura se dje për paga e trasformime për çdo sektor”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.