Politike

Rakia i rriti entuziazmin Ramës, por ishte vonë

Eksperti i gjuhës së trupit shpjegon për Gazeta Si ndjesitë që kryeministri Edi Rama kishte dhe shprehu në eventin “MatchMaker”. Gjuha e tij e trupit u shfaq e rezervuar dhe pa entuziazëm, me përpjekje të vonshme për të zbutur një atmosferë të ftohtë dhe reagime të vakëta nga të pranishmit.

Nga Gazeta Si- Në fjalën e sotme të Kryeministrit Rama në MatchMaker Albania nuk u pa ndonjë entuziazëm në praninë e tij në këtë event. Gjuha e trupit ishte e kujdesshme dhe, përmes lëvizjeve të kokës, kërkonte të respektonte të gjithë të pranishmit, duke i përfshirë me vështrimet e tij.

Gjuha e trupit e të pranishmëve të huaj ishte më shumë skeptike sesa miratuese. Tek-tuk kishte ndonjë shenjë admirimi ndaj figurës së tij, e shoqëruar me buzëqeshje të dukshme.

Kryeministri, përmes gjuhës së trupit, dukej i qetë, por në disa momente u vu re një dozë mërzie më shumë sesa kënaqësie, sidomos kur nisi të rendiste sukseset e arritura të Shqipërisë. Kjo dallohej nga sforcimi i cepave të buzëve, më i theksuar në anën e djathtë sesa në të majtën, si për të përforcuar atë që thoshte.

Edhe kur ai shprehu dëshirën për të bërë një pyetësor lidhur me korrupsionin në vend, kjo u perceptua si sfiduese. Nuk u vu re që të ketë ngjallur kërshëri apo çudi në fytyrat e pjesëmarrësve.

Nga fundi i ligjëratës, kur i ftoi të pranishmit të shijonin rakinë shqiptare, dukej se po e rimerrte veten dhe shkëlqimi i syve nisi të rritej, por ishte tepër vonë.

Thënë kjo, gjuha e trupit në këtë fjalim nuk u përputh me mesazhin verbal të kryeministrit. Minutat e para ishin të ftohta dhe mekanike. Në fund, u përpoq të zbusë atmosferën, por humori mbeti i vakët dhe si reagim mori disa duartrokitje të rezervuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë