Lojëra me Dore

Rafael Nadal shfaqet i vuajtur në një video, Roland Garros gjithmonë e më larg

Gazeta Si – Një video që po qarkullon në rrjetet sociale tregon tenistin spanjoll të dëshpëruar pas një stërvitjeje në akademinë e tij. Pas Romës, në rrezik serioz është edhe pjesëmarrja në turneun e Parisit.

I lodhur, me një shikim shqetësues, në gjunjë, i vuajtur, i rrethuar nga Moya dhe stafi i tij. Një video shfaq një Rafael Nadal larg formës dhe larg Roland Garrosit. Në fakt, nuk dihet me saktësi kur është bërë kjo video, nga njerëzit pranë tenistit të njohur nuk ka pasur reagime, por bëhet fjalë për dyshimin e radhës për praninë e 14 herë fituesit të Roland Garros në turneun e tij të preferuar.

Nadal nuk luan që nga turi i dytë i Australian Open, mbi 100 ditë më parë. Ka mbetur jashtë gjithë sezonit në dhe të kuq, nga Montekarlo në Madrid dhe Romë, ka humbur 1370 pikë në klasifikim dhe ka dalë nga 10-shja më e mirë për herë të parë që nga prilli i 2005-ës.

Dëmtimi fillimisht parashikonte një ndalesë prej dy muajsh maksimumi, por koha e rikuperimit gati është dyfishuar. Në këtë pikë nuk ka si të mos ngrihen dyshime për pjesëmarrjen në Roland Garros, ku në rastin më të mirë do ta shkojë pa stërvitje në dhe, çka do ta penalizonte jo pak.

Po ashtu, duhet marrë në konsideratë dhe fakti që në Paris Nadal mund të jetë kokë serie e ulët, nga 15 e më poshtë, që do të thotë se mund të përballet me një ‘top 4’ që në fazën e 1/8-ve. A ja vlen? Edhe kjo situatë është për t’u vlerësuar. As vetë Nadal nuk e priste të ndodhte kështu.

Këto javë ai është stërvitur fort në akademinë e tij në Manacor, por asnjëherë nuk ka gjetur ndjesinë e duhur me trupin, që nuk është përgjigjur si duhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë