Shendet

Radha e vaksinës njoftohet nga mjeku i familjes, mundësi zgjedhje të llojit nuk ka

Shqipëria nisi vaksinimin masiv falë marrjes së vaksinës kineze Sinovac. Si funksionon ky proces? Qytetarëve që u vjen radha njoftohen nga mjeku i familjes dhe nuk kanë mundësi përzgjedhjeje të llojit të vaksinës që duan të marrin, por duhet të vendosin nëse do të marrin atë që u ofrohet, apo jo.

Doza të para të Sinovac mbërritën në vend falë marrëveshjes me një kompani turke që vepron si shpërndarëse e tyre. Qeveria thotë se marrëveshja është bërë për 1 mln vaksina dhe se aktualisht ka kontraktuar 500 mijë prej tyre. Kjo sasi vaksinash ka mundësuar nisjen e një procesi të gjerë vaksinimi, që Kryeministri Edi Rama thotë se do të lehtësojë vendin dhe mundësojë që sezoni turistik të jetë i hapur komplet pa asnjë kufizim.

Aktualisht, vaksinimi ka nisur me të moshuarit mbi 70 vjeç, që janë njoftuar nga mjeku i familjes për t’u vaksinuar, ndërsa autoritetet theksojnë edhe prakticitetin e vaksinës kineze në krahasim me atë të Pfizer.

“Kjo është një vaksinë që ruhet plus 2 deri në 8 gradë dhe ne kemi marrë të gjitha masat që të respektohet zinxhiri i ftohtë. Është e lehtë në përdorim. Duhet të merren dy doza, një tani dhe një pas një muaji e pak”, deklaroi koordinatorja e programit të vaksinimit kombëtar, Erida Nelaj.

Ajo njoftoi se qytetarët duhet të presin dhe të bëjnë durim, pasi në momentin që do t’u vijë radha do të njoftohen nga mjeku i familjes.

Gjithashtu, Nelaj theksoi se nëse kontaktohen për të bërë vaksinën, qytetarët nuk kanë mundësi zgjedhjeve mes Sinovac, Pfizer, AstraZenecas apo Sputnik-V.

“Nëse një mjek familje të njofton për vaksinim do të bëhet ajo që vaksinë që ofrohet. Nëse dikush thotë nuk do ta bëj vaksinimin do të pritet një kohë tjetër për t;u krye”, sqaroi ajo.

Autoritetet parashikojnë që të kryejnë deri në 1 mijë vaksinime këtë të diel në Sheshin Skënderbej, ndërsa në shërbim të përshpejtimit të procesit janë vënë edhe mjekët e ushtrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë