Dita e tretë e Europianit vjen me 3 ndeshje interesante. Është radha për të zbritur në fushë e skuadrave të Grupit C dhe D. Në orën 15:00, Anglia, kundërshtari ynë në kualifikueset e Botërorit, do të përballet me Kroacinë. Pritshmëritë janë të mëdha në këtë Europian për anglezët, të cilët kanë disa të rinj mjaft të talentuar në përbërje.
Trajneri Southgejt pritet të hedhë në fushë një sulm të frikshëm, ku Maunt, Foden dhe Sterling do të jenë në mbështetje të kapitenit Herri Kejn. Kroacia do të udhëhiqet nga “veteranët” Modriç, Brozoviç dhe Perisiç. Titullar mendohet të jetë edhe Rebiç, ndërsa në majë të sulmit me shumë mundësi do të jetë Kramariç.
Pastaj, në orën 18:00, është radha e fqinjëve të Maqedonisë së Veriut në debutimin historik në një Europian. Me “plakushin” Goran Pandev, por edhe me disa shqiptarë në përbërje, si Enis Bardhi, Arijan Ademi, Bejtullai e të tjerë, maqedonasit do të sfidojnë Austrinë në Bukuresht.
Dhe në mbrëmje Holanda, kundër Ukrainës së trajnerit Andrij Shevçenko. Holanda që para kësaj ndeshjeje është përfshirë nga polemikat sa i takon skemës së lojës, me tifozët që i kërkojnë trajnerit të ndryshojë idetë e tij. Në qiellin e Zeist, ku stërvitet Holanda, një avion i vogël ka shpalosur një banderolë, ku shkruhej: “Frank, është vetëm 4-3-3”. Një mesazh i qartë ndaj De Boer për të ndryshuar modulin e lojës.
“Faleminderit për këshillën, por preferoj të vazhdoj me idetë e mia dhe do vazhdojmë të luajmë me 3-5-2”, – ishte përgjigja e De Boer. Skema e tij urrehet nga shumica e tifozëve holandezë, të cilët dashurojnë futbollin ofensiv dhe ajo atë që është kundër traditës. Një situatë që ka krijuar shumë polemika. De Boer nuk ndryshon dhe do të luajë me tre në mbrojtje, pavarësisht mungesës së Van Dijk dhe dëmtimit së fundi të De Ligt, i cili është në dyshim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.