Futboll

Racizmi/ Fshihet kartoni i kuq i Vinicius, vendim historik nga drejtësia sportive në Spanjë

Gazeta Si – Një vendim i bujshëm vjen nga Spanja dhe që ka të bëjë me çështjen e racizmit ndaj Vinicius në stadiumin e Valencias. Kartoni i kuq i dhënë për lojtarin brazilian është anuluar, sepse arbitri nuk ishte në kushtet më të mira për të marrë vendimin e duhur.

Valencia-Real e së dielës që shkoi u ndërpre për 10 minuta, kur ndaj Vinicius pati sulme raciste nga tribunat. Lojtari brazilian kërkoi përjashtimin e një tifozi të Valencias, por më pas u ndëshkua me karton të kuq, pasi VAR-i dalloi një goditje të tij ndaj Hugo Duro. Ai la fushën mes fyerjeve dhe provokimeve të tifozëve në ‘Mestalla’.

Reagimi i iVinicius pas sulmeve raciste nga tifozet e Valencias. Gazeta Si, 24 maj 2023

Ai karton i kuq është fshirë nga drejtësia sportive në Spanjë dhe ky është një vendim historik, sepse nuk është marrë kurrë më parë. Në argumentimin e vendimit shpjegohet se për arbitrin ishte “e pamundur të vlerësonte në mënyrën më të përshtatshme atë që ndodhi”. Arbitri De Burgos Bengoetxea kishte shkruar në raport se Vinicius u ndëshkua, sepse “goditi në fytyrë një lojtar kundërshtar, kur loja ishte e ndaluar”.

Çështja e racizmit ndaj Vinicius mori përmasa të mëdha menjëherë, pati edhe reagime nga politika, madje të ashpra. Ndoshta heqja e kartonit të kuq mund ta zbutë pak situatën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë