“No To Racism”. Sllogani i UEFA-s për të luftuar diskriminimin duhet t’i bëjë llogaritë edhe me injorancën që mbretëron në Europë. Problemi ka marrë përmasa më të mëdha nga fakti se koret raciste ndaj sulmuesit Kamara, gjatë ndeshjes Sparta Pragë-Gllasgou Rejnxhërs në Ligën e Europës, vinin nga një sektor i rezervuar për 10.000 fëmijë dhe adoleshentë (deri në 14 vjeç).
Ata ishin të pranishëm në këtë ndeshje në vend të tifozëve të zakonshëm. Duhet sqaruar se stadiumi ishte i mbyllur për publikun për shkak të racizmit ndaj Tçouamenit gjatë ndeshjes me Monakon. Tani priten masa dhe ndëshkime nga selia e UEFA-s, duke parë përsëritjen e rastit në stadiumin e Pragës.

Kamara u vu në shënjestër të koreve raciste që në fillim të ndeshjes, në çdo prekje të topit prej tij. Kur u ndëshkua me karton të kuq, dalja e tij nga fusha u shoqërua me duartrokitje ironike. I njëjti lojtar u prit me sulme raciste në Pragë edhe sezonin e kaluar, kur Rejnxhërsat u ndeshën me Sllavian. Dhe për këtë, një lojtar i skuadres çeke, Ondrej Kudela, u skualifikua për 10 ndeshje.
“Nuk jam i surprizuar, luajtëm me dyer të mbyllura për një arsye. Nuk është hera e parë që ndodhin këto gjëra këtu, por me sa duket nuk ëhstë ende mjaftueshëm”, – tha pas ndeshjes i irrituar Stiven Xherrard, trajneri i Gllasgou Rejnxhërs.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




