Treg

Rabi Çollaku, 17 vjeçarja që ledhaton skulpturën dhe do të sfidojë tregun e varfër shqiptar

Nga Megi Iskurti-“Skulptura është arti i inteligjencës” shkruante që në krye të herës mes rreshtash Picasso në një nga librat e tij, por ndërsa historia na ka mësuar se skulptorët më të famshëm ishin meshkuj, Rabi Çollaku, një 17 vjeçare që studion pranë Liceut Artistik na dëshmon se ka edhe skulptore që veç të tjerash dinë të gdhendin në mermer, dru, hekur e metal.

Nëse të takosh vajza që punojnë në qeramikë nuk është aq e vështirë, të gjesh vajza që dinë të saldojnë dhe të punojnë metalin është një gjë që nuk e has rëndom.

Përgjatë rrëfimit, është e pashmangshme të mos dallosh në sytë e saj rebelizmin dhe stoicizmin për të ecur përpara edhe në këtë treg të vogël e të varfër në Shqipëri të cilin ajo edhe pse e di që nuk gjeneron shumë të ardhura, sërish nuk  mendon të heq dorë.

Gjithë nerv dhe pasion Rabi rrëfen këmbënguljen dhe punën e saj të madhe që në moshën 14 vjeçare për t’u përfshirë në tregun e vështirë e maskilist të gdhendjes pasi ajo kishte nevojë që të shpërthente, të gjente lirinë psikologjike e të shprehte ndjesitë që i gëlonin nga brenda.

Në këtë Shqipërinë tonë të vogël ka talente të mëdha e puna e tyre jo pak herë bën zhurmë fill në hapat fillestarë të karrierës të tyre.

Rabi është studentja e parë që ka shkuar për gdhendje në Lice dhe 17 vjeçarja e parë që ia doli të realizonte ekspozitën e saj me elemente të ndryshme pavarësisht shikimeve gjykuese të njerëzve që e rrethonin dhe komenteve ‘se ajo nuk mund të ia dilte’.

 “Është e vërtetë që meshkujt kanë forcë fizike më të madhe dhe mund të mbarojnë skulpturën shumë më shpejt por mënyra se si femrat bëjnë skulpturë është tërësisht ndryshe.

Mënyra se si unë e lëmoj atë në fund e bën punën të duket më e gjallë sepse femra i jep delikatesë asaj, ne futemi në brendësi.

Përpara se të hyja në Lice kur ende nuk e kisha gjetur veten dhe atë se çfarë doja që të bëja pasi u mora me balet dhe me piano, ishte profesori im ai që më tha se gdhendja  ‘do teknikë dhe jo forcë’ e që më shtyu të vazhdoja këtë rrugë që në moshën 14 vjeçare.”-tregon ajo për gazetën SI.

Ajo veç daltës dhe çekiçit, tani nuk ndan nga vetja as metalin ku me këmbëngulje të jashtëzakonshme ka marrë dhe mësime nga saldatorë profesionistë në mënyrë që të arrinte nivelin e duhur pavarësisht se sa i digjnin sytë në fund të ditës dhe sa i vështirë ishte ky proces për një vajzë.

“Metali mund të duket shumë i ftohtë në dukje por është shumë i ngrohtë në brendësi. Ka një marrëdhënie karmike aty që më pëlqen pafund.

Nëse e godet në njërën anë, ai do të ngrihet në anën tjetër, pra të kthehet mbrapsht.

Që në momentin e parë që preka metalin, kam rënë në dashuri me të. E gjithë qenia ime më bën shumë sens me metalin. Më duket sikur kërcej bashkë me të.”-më rrëfen mes të tjerash Rabi tek thekson se ai është dhe një mënyrë e mirë për t’iu futur tregut të punës në të ardhmen.

 “Në universitet dua të vijoj për skulpturë monumentale. Në Shqipëri ka akoma njerëz që nuk kanë ushqim për të ngrënë dhe sigurisht që nuk do vijnë të blejnë skulpturat tona pasi ata nuk janë gjëra esenciale.

Por duke qenë se më pëlqen shumë metali mund edhe të përfshihem në argjendari. Gjithashtu mendoj të bëj edhe një gërshetim me arkitekturën në një të ardhme në mënyrë që t’i shërbej punës time dhe talentit tim.

Nëse punon shumë dhe je i mirë në atë që bën sigurisht që do vlerësohesh edhe në treg.”-më tregon Rabi me gjithë ambicien që i reflekton në sy.

Gdhendja asaj i ka rrëmbyer shumë momente adoleshence pasi nëse shokët e saj e mbaronin punën me shpejt për shkak të forcës fizike dhe iknin në shtëpi, atë e zinte mbrëmja në studio për të arritur nivelin që ajo synonte.

Ka qenë e vështirë që të realizonte punë që duan kaq përkushtim por ajo mendon se arti ka lindur bashkë me të dhe ndjen se aty është vendi ku përket.

Ekspozita e saj e parë erdhi si rezultat i shumë ndjesive të akumuluara gjatë vitit të karantinës ku ajo me një forcë mendore të jashtëzakonshme solli në jetë vepra artistike të cilat nxitën edhe kuriozitetin e njerëzve për t’i blerë.

“Cmimi i një vepre vendoset nga shumë elementë, por kryesisht nga materialet sepse kanë kosto të lartë dhe varësisht lodhjes së punës gjithashtu.

Mermeri ka kosto tjetër dhe druri tjetër, nuk mund t’i shesësh në të njëjtin çmim.”-citon ajo për gazetën “SI.”

“Dashuria për veten më ka dërguar këtu ku jam tani. I gjithë ky shpërthim emocional është dëshira që kam unë për lirinë, është e akumuluar.

Dëshira më e madhe që kam është të zgjohem në mëgjes dhe të shoh se e kam mermerin aty ku kam ngrënë darkë një natë më parë, në studion time mes pluhurit dhe punëve të pambaruara.

Sigurisht që mbi të gjitha dua të frymëzoj të rinj të tjerë ashtu siç më kanë frymëzuar mua skulptorë të mëdhenj.

Nuk besoj se do e lë kurrë skulpturën sepse vetëm kur shkoj në studio e ndiej që aty jam unë, pa filtra. Energjitë e mëdhaja krijuese në atë hapësirë më japin frymëzim të pashtershëm.

Jam aty ku përkas.”-e mbyll fjalinë Rabi, 17 vjeçarja e lidhur pazgjithshmërisht me artin që e bën atë të ndihet si në shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë