Gazeta Si – Igbo-Ora është një qytet me gati 200,000 banorë në Nigerinë jugperëndimore, rreth 100 kilometra në veri të Lagosit.
Është bërë i famshëm në botë që nga vitet 1970 për një rekord të pazakontë: numrin e binjakëve në krahasim me lindjet totale.
Mundësia për të pasur binjakë është pothuajse katër herë më e lartë se mesatarja botërore. Në të gjithë botën, binjakët dizigotë (të lindur nga vezë të ndryshme të fekonduara nga spermatozoide të ndryshme), lindin mesatarisht 12 për një mijë; në Igbo-Ora, sipas vlerësimeve më konservatore, shkalla është 45 për një mijë.
Nuk ka një shpjegim shkencor përfundimtar për këtë përjashtim, megjithëse ka qenë një studim rasti për dekada.
Me kalimin e kohës, është bërë një karakteristikë përcaktuese e qytetit, e festuar nga vetë banorët, i cili që nga viti 2018 ka organizuar një festival vjetor, ku marrin pjesë njerëz nga e gjithë bota, si binjakë, ashtu edhe jo-binjakë.
Një statujë që përshkruan një nënë që mban binjakë në krahë, është ngritur gjithashtu në qendër të Igbo-Orës.
Një hulumtim i botuar në vitin 2020 në revistën shkencore “PLOS One”, arriti në përfundimin se shkalla shumë e lartë e lindjeve të binjakëve në Nigerinë perëndimore i atribuohej tipareve gjenetike në grupet etnolinguistike Yoruba dhe në një masë më të vogël, Hausa.

Përqendrimi i marrëdhënieve dhe martesave të gjakut brenda të njëjtit komunitet, mund të ketë favorizuar vazhdimësinë e këtyre tipareve të trashëguara me kalimin e kohës.
Përjashtimi Igbo-Oras ka të bëjë me binjakët dizigotë, ndërsa mesatarja për binjakët monozigotë – ata të lindur nga një vezë e vetme e fekonduar nga një spermatozoid – është e ngjashme me atë në pjesën tjetër të botës (afërsisht katër lindje binjakësh për mijë).
Hulumtimi u përqendrua gjithashtu në faktorët e supozuar mjedisorë. Në Igbo-Ora, për shembull, ekziston një besim i përhapur se numri i lartë i binjakëve lidhet me disa zakone dietike të popullsisë femërore të rajonit.
Konkretisht, konsumi i àmàla-s, një pjatë tipike e bërë nga manioku, një zhardhok i kultivuar gjerësisht në Afrikën Perëndimore dhe një supë e bërë me gjethe bamje (ose okro), një bimë nga e njëjta familje si karkad.
Megjithatë, të dhënat e hulumtimit zbuluan korrelacionin më të fortë me konsumin e një ushqimi që të intervistuarit nuk e treguan si faktorin kryesor që ndikon në binjakëzim: patate e ëmbël e bardhë, një zhardhok tjetër.
Sidoqoftë, asnjë korrelacion me zakonet dietike nuk ishte i mjaftueshëm për të shpjeguar përjashtimin e Igbo-Oras, duke pasur parasysh se të njëjtat ushqime konsumohen rregullisht edhe në komunitetet fqinje që kanë shkallë më të ulët të lindjeve të binjakëve.

Sipas autorëve të studimit, është e mundur që dieta dhe faktorë të tjerë mjedisorë të kenë njëfarë ndikimi në gjenetikë, pasi ato mund të prodhojnë ndryshime të rëndësishme në aktivizimin ose çaktivizimin e gjeneve (modifikime epigjenetike).
Megjithatë, nuk ka prova shkencore bindëse që një lloj i caktuar ushqimi ose ndonjë faktor i vetëm mjedisor është shkaku i drejtpërdrejtë i lindjeve të binjakëve në Igbo-Ora.
“Konceptimi i binjakëve varet kryesisht nga gjenetika dhe historia biologjike e secilit person”, tha për gazetën spanjolle “El Pais”, Peter Enyievi, një nutricionist në Universitetin e Calabarit, në pjesën juglindore të vendit.
Megjithatë, shumë njerëz në Igbo-Ora, këmbëngulin në lidhjen midis prevalencës së binjakëve dhe dietës së popullsisë.
Ata e shohin këtë si një çështje tradite dhe madje edhe mikronutrientësh në tokë. Disa besojnë se lëndët e para të përdorura për të gatuar pjatat tradicionale, janë të përfshira, madje edhe uji i përdorur për supat, deri në atë pikë sa përdorimi i tij nga një vend tjetër, nuk është i njëjtë.
Në kulturën Yoruba, e pranishme kryesisht në Nigeri, por edhe në Benin, Togo dhe Ganën fqinjë, ekziston një besim i përhapur se binjakët janë një bekim hyjnor dhe një shenjë fati e mirë, pasi besohet se sjellin prosperitet dhe mbrojtje.
“Njerëzit ndihen keq nëse nuk ka binjakë”, tha për BBC-në një gjyshe binjakësh (vetë binjake, motër e një çifti tjetër binjakësh dhe nënë binjakësh).

Sipas një legjende, fshati Igbo-Ora u themelua në shekullin e 14-të nga një princ i mërguar i Perandorisë Oyo, një perandori Yoruba që pushtoi Nigerinë perëndimore dhe jugore, një nga më të mëdhatë në Afrikën para-koloniale.
Princit iu tha të bënte oferta kushtimi për hyjnitë Yoruba, të ndryshme për secilën dhe në këmbim, fshati u bekua me dhuratën e mbizotërimit të binjakëve.
Ideja që binjakët sjellin fat të mirë dhe mbrojtje, është aq thellë e rrënjosur sa njerëzit inkurajohen, madje edhe në mënyrë të pavetëdijshme, të martohen me ata nga familjet që kanë pasur binjakë.
Kjo dëshmohet edhe nga përfaqësimi i tyre në artet figurative: në shtëpitë e disa familjeve Igbo-Ora, ende ekziston një altar i vogël, ku shfaqen dhe transmetohen figurina të gdhendura prej druri të quajtura ìbejì, me tipare njerëzore të stilizuara.
Sipas një tradite shumë të lashtë, ìbejì bëheshin kur një binjak në familje vdiste, qoftë në lindje ose gjatë foshnjërisë.
Besohej se ato ruanin simbolikisht shpirtin e djalit ose vajzës së ndjerë dhe mbronin shëndetin e binjakut mbijetues dhe të gjithë familjes.
Kjo traditë është më pak e përhapur se në të kaluarën, por ende jeton në disa komunitete. Në të gjithë botën, ìbejì mund të shihet edhe në muze anembanë botës, në koleksione që kanë tërhequr prej kohësh interes në rritje.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje