Nga Gazeta Si-Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri në disa supermarkete në Tiranë konstatoi se një litër qumësht që në fund të qershorit ishte 140-150 lekë, tani kushton rreth 190 lekë, njëjtë edhe kosi.
Operatorët nga tregu thonë se priten rritje të mëtejshme sidomos për gjalpin.
Nga produktet e shportës, qumështi dhe produktet e tij kanë patur rritjen më të madhe të çmimeve këto dy muajt e fundit.
Kompanitë e përpunimit e kanë lajmëruar disa herë që nga mesi i prillit se çmimet e tyre do të rriten deri në 15%.
Arsyet mbeten po të njëjta: shtrenjtimi i plastikës, shtrenjtimi i energjisë e gazit, rritja e kostove nga heqja e skemës së TVSh-së së rimbursueshme, rënia e krerëve të bagëtive dhe largimi i fermerëve të vegjël.
Disa nga shitësit u shprehën për Gazetasi.al se hasen çdo ditë me ankesa nga klientët të cilët po heqin dorë nga blerja e tyre.
“Nuk kanë faj sepse çmimet po rriten herë pas here. Është shtrenjtuar jo vetëm qumështi dhe kosi, por edhe gjalpi, gjiza e djathi. Shumë prej tyre pasi kanë parë çmimet në kasë i kanë kthyer mbrapsht. Nuk po i blejnë më si më parë ndonëse janë produkte të domosdoshme. Sidomos të moshuarit, i kanë ulur ndjeshëm blerjet e tyre dhe gjithmonë ankohen se nuk i përballojnë dot çmimet me pensionet që kanë ”, thotë për Gazetasi.al Elisa Meta, një vajzë që punonte në kasë tek “Big Market”.
Sipas blegtorëve dhe ekspertëve të bujqësisë, largimi i fermerëve dhe rënia e numrit të krerëve të bagëtive vitin e fundit janë shkaqet kryesore që kanë dërguar në këtë rritje çmimesh.
Në vitin 2021, numri i krerëve të gjedhëve ka rënë me 7% ndërsa që nga viti 2014 rënia është rreth 50%.
Zëra nga fermerët
Halit Bana, një fermer qumështi prej më shumë se 15 vitesh, sot zotëron vetëm 2 krerë lopë nga 15 të tilla vitin e kaluar.
Ai thotë për Gazetasi.al se shtrenjtimi i çmimeve për ushqimin e bagëtive dhe vendosja e taksave e ka bërë të paleverdisshme mbajtjen e lopëve.
“Kostoja e bazës ushqimore u rrit gati me 10% dhe e kisha të pamundur që të vazhdoja t’i mbaja kafshët në fermë. Qumështi nisi të tregtohej 25% më shtrenjtë. Deri para pak kohësh që po vazhdoja t’i mbaja më ndihmonte kultivimi i tokës që zotëroja por tashmë kostot janë bërë të papërballueshme”, thotë ai për Gazetasi.al teksa shton se në një situatë të tillë i leverdis më shumë që të punojë jashtë shtetit në emigracion, në fabrika të ndryshme.
Një largim të tillë të fermerëve që nuk po zgjedhin më të punojnë më blegtarinë, e pohon për Gazetasi.al edhe Kreu i Shoqatës së Fermerëve, Eduart Sharka i cili shton se nga fakti që fabrikat nuk po munden dot të ekuilibrojnë tregun, mund të përballemi me mungesën e qumështit vendas.
Subvencioni, një hap drejt zgjidhjes së problemit
“Mbështetja me subvencione e blegtorisë nëpërmjet skemës kombëtare është shumë e ulët dhe nuk përafrohet me masat mbështetëse që ofron rajoni. Kostot për fermerin po bëhen të papërballueshme, duke i çuar jo vetëm atë por edhe fermerë të tjerë drejt shitjes së krerëve dhe drejt mbylljes së aktivitetit.
Kosova që është vendi më afër nesh, me gjysmën e buxhetit tonë dhe me një përvojë shtetformuese shumë të re jep 150 euro për një kre lopë, 6 cent për një litër qumësht dhe 150 euro për një HA foragjer. Ndërsa në Shqipëri, jepen vetëm 10 mijë lekë për një fermer”, thotë për Gazetasi.al Eduart Sharka, kreu i Shoqatës së Fermerëve.
Në treg, do ketë edhe krizë për djathë
Në vështirësi janë vënë kryesisht baxhot, punëtorët e së cilave thonë për Gazetasi.al se rënia e prodhimit të qumështit në ferma ka krijuar krizë për djathë.
Është afërmendsh sipas blegorëve të ketë krizë dhe nevojë për djath kur prej kohësh industritë e qumështit kanë bërë thirrje për falimente.
Nga “Ngota” operatorët thonë se fabrikat sasinë qumështit e kanë shitur si kos dhe nuk kanë mundur të rezervojnë sasitë e nevojshme për të bërë djath.
Gjetja e djathit i cili do 6 muaj që të stazhonohet do bëhet gjithmonë e më e vështirë sipas burimeve të tregut të Gazetasi.al.
Kompanitë përpunuese kanë që prej vitit të kaluar në vështirësi për gjetjen e qumështit në vend, pasi prodhimi është me rënie. Ata nuk po munden dot të përballojnë kërkesën por njëkohësisht edhe të maganizojnë produktet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.