Nga Gazeta “Si” – “E bën vdekjen qesharake, por njëkohësisht e bën të qeshurën jashtëzakonisht serioze, për një çast. Në një situatë ku jeta është e kërcënuar, të qeshësh është pothuajse skizofrenike… përveç atij që po vdes: ai mund të qeshë lirshëm.” Kështu e shpjegon instalacionin “Dying of laughter” artisti Marin Nikolla i cili bashkë me artistin Redi Muçi përfaqësuan Shqipërinë në eventin “Fuori Salone” mbajtur në galerinë Slow Mill në Milano.
Projekti eksploron lidhjen mes kujtesës dhe formës, mes gjuhës dhe materialit. Ashtu si rrota përfaqësoi një pikë kthese në zhvillimin e njerëzimit, duke u shndërruar në mjet transporti, edhe qeramika shfrytëzoi lëvizjen rrotulluese për të krijuar enë të papërshkueshme nga uji një proces që sot mund ta krahasojmë me printimin 3D.

Artisti Marin Nikolli thotë për mediat se ky instalcion u frymëzua nga paradoksi i vdekjes dhe së qeshurës.
“Është paradoksale dhe në të njëjtën kohë shumë e përdorur. E bën vdekjen qesharake, por njëkohësisht e bën të qeshurën jashtëzakonisht serioze, për një çast. Në një situatë ku jeta është e kërcënuar, të qeshësh është pothuajse skizofrenike… përveç atij që po vdes: ai mund të qeshë lirshëm. Meqë është një shprehje zhargon që përshkruan një moment gëzimi ekstrem, mund ta imagjinojmë që dikush, diku, jo vetëm ka qeshur përballë vdekjes, por edhe ka vdekur vërtetë nga e qeshura. Gati si një mbivendosje kuantike” thotë ai.
Ai shton se “Dying of laughter” është frymëzuar dhe nga e qeshura e rrjeteve sociale, e cila në fakt nuk është fjalë.
“Krijimi ynë është frymëzuar pikërisht nga një mbetje komunikative, siç e përdorim shpesh ‘ahaha’. Në rrjete sociale është shfaqur si fenomen: një e qeshur e shprehur si fjalë, por që në të vërtetë nuk është fare fjalë. Është më shumë një arratisje nga gjuha, një e qeshur e shkruar. Një pjesë jo fort e menduar e teknologjisë” thotë Nikolli.

Protagonistët absolutë të instalacionit, dhe një shembull domethënës i kësaj tradite artizanale, janë vazot e punuara nga Vasil Kuka, një qeramikist nga rajoni i Zadrimës, i cili prodhon rreth 300 objekte balte në ditë me dorë, një mjeshtër autentik, por njëkohësisht edhe një artizan-industrialist.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.