Ngjarje

U shtrua për grip, QSUT tha se vdiq nga miokardi akut. Zhvarroset trupi i 12-vjeçarit Leo Sadiku

Nga Gazeta Si- Leo Sadiku ishte shtruar në spitalin e Korçës me shenja të gripit më 28 dhjetor 2024 ku dhe u trajtua me antibiotikë dhe la spitalin natën e Vitit të Ri pasi sipas mjekëve, gjendja u stabilizua.

Por kjo nuk vazhdoi për shumë kohë dhe gjendja e tij u përkeqësua, duke e rikthyer në spital më 7 janar, me tension të lartë, glicemi të lartë, të vjella dhe temperaturë. Mjekët e Korçës e dërguan në Pediatrinë e QSUT-së ku dhe ndërroi jetë më 8 Janar.

QSUT tha se shkak i vdekjes ishte miokarditi akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë vdekshmërie por kjo nuk është pranuar nga familjarët e tij, duke akuzuar mjekët për neglizhencë.

Kanë qenë familjarët e të ndjerit që kanë protestuar disa herë, duke kërkuar drejtësi për djalin e tyre.

“Neglizhencë totale nga mjekësia, duke filluar nga Korça në Tiranë. Leon nuk e trajtuan si duhet, Leon e neglizhuan, mua më gënjyen, duke më thënë ka virozë. U mjaftuan me dy eko barku dhe me një grafi dhe me 3 analiza kaq i kanë bërë Leos tim asgjë më tepër. Ai fëmijë ka vjellë për 7 orë, le të më dalë përpara ajo doktoreshë në QSUT, që thoshte ka mbetje të mukozës të stomakut. Kam bërë kallëzim penal, sepse djalit nuk i kanë bërë eko apo mjekim për zemrën. E neglizhuan dhe na morën në qafë”, ka thënë nëna e 12-vjeçarit.

Trupi i 12-vjeçarit është zhvarrosur sot në kuadër të hetimeve.

Ekspertë të institutit të mjekësisë ligjore, shoqëruar nga prokurorë të prokurorisë të Tiranës e cila po heton rastin, në prezencë edhe të familjarëve të 12-vjeçarit, kanë zhvarrosur trupin e tij i cili do t’i nënshtrohet autopsisë.

Fillimisht pas vdekjes së tij, familjarët refuzuan kryerjen e autopsisë por më pas, me nisjen e hetimeve nga prokuroria e Tiranës e cila është kompetente për rastin, organi procedues vendosi kryerjen e autopsisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë