Luhatja e temperaturave ka shtuar problematikat tek alergjikët kronikë. Ata njihen ndryshe dhe pacientë me astmë.
Burime nga pavijoni i alergologjisë i thanë Gazetasi.al se në këtë periudhë, shumë pacientë nga rrethet vijnë me kriza astme, mungesë të frymëmarrjes, duke kërkuar ndihmë të specializuar.
“Ndryshe nga vitet e tjera, konstatohen më shumë raste urgjente nga e gjithë Shqipëria. Pacientët janë të të gjitha moshave nga 15-vjeç e deri tek mosha e tretë.
Gjithashtu, vërejmë se janë shtuar dhe alergjitë duke prekur shumë gruppmosha që deri dje nuk i kishim parë”, thonë mjekët alergologë për Gazetasi.al
Por rikonstruksioni i pavijonit të alergologjisë në QSUT, ka reduktuar ndjeshëm shtretërit.Kjo ka bërë që në “Spitalin Francez” ku është zhvendosur momentalisht ky pavijon, numri i shtretërve të jetë 6 nga 25 që ishte në godinën e dikurshme.
Pavijone dhe mjekë të sforcuar.
Kjo ka sjellë për pasojë dhe mbipopullim të pavijonit, duke reduktuar ditët e shtrimit për pacientët.
“Detyrohemi t’i mbajmë 2-3 ditë sa të stabilizohet gjendja e tyre. Është e paimagjinueshme që ne dikur nga një pavijon me 25 shtretër të përfundojmë me 6 të tillë. Ka shumë kërkesa për shtrime. Detyrohemi të punojmë të sforcuar deri në përfundimin e rikonstruksionit të godinës”, thonë burimet.
Mjekët alergologë thonë se shtimi i llojeve të alergjisë, ndryshimi i stilit të jetesës, bashkëjetesa kolektive, ka çuar në ulje të imunitetit. Ata thonë se jemi më të ndjeshëm ndaj alergjive.
Mjekët specialistë thonë gjithashtu se duke qenë se është periudha e polenit, alergjitë e pranverës rrisin rrezikun për të sëmurët kronikë që të rëndohen. Nëse ata nuk ndjekin këshillat e mjekëve, rrezikojnë të përsëritin kriza të shpeshta.

Por çfarë janë alergjitë stinore?
Alergjitë stinore ashtu si edhe alergjitë e tjera, zhvillohen kur sistemi imunitar i trupit reagon ndaj substancave që ndodhen në mjedis.
Këto substanca apo alergjenë mund të japin teshtima, kollë dhe kruajtje. Reaksioni alergjik mund të variojë nga një gjendje thjesht e bezdisshme, deri në një kërcënim për jetën.
Disa alergji janë sezonale, ndërsa disa të tjera janë të lidhura me gjendje shëndetësore kronike si sinusiti dhe astma.
Alergjitë respiratore janë rritur në Europë edhe si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.
Alergjia nga polenet karakterizohet nga lotim i syve, teshtima, ndonjëherë kollë dhe astmë me shfaqje sezonale.
Me ndryshimin e stinëve, ndodh një fenomen natyral, ku re të padukshme të poleneve ndjekin rrymat e ajrit. Ato përhapen në atmosferë në distanca të largëta prej shumë kilometrash nga vendburimi i tyre. Polenet mund të depozitohen nga pak kudo, madje edhe në mukozën e konjuktivës, në hundë dhe në mushkëritë e personave të cilët jetojnë në këto mjedise.
Riniti alergjik (me ose pa konjuktivit) prek 60% të popullatës në Europë.Prej tyre 15%-20% vuajnë një formë të rëndë të sëmundjes. Vlerësohet se astma alergjike prek 5%-12% të popullatës në Europë.
Çdo njeri mund të ketë apo të zhvillojë një alergji, që nga i porsalinduri e deri tek i rrituri.

Këshilla të përgjithshme.
Në momentin që shfaqen simptomat e një alergjie respiratore, fillimisht duhet shkuar te mjeku apo specialisti për të vendosur saktë diagnozën. Kështu ata identifikojnë alergjenin (ose alergjenët) ndaj të cilëve jeni të ndjeshëm.
Si mënyrë parandaluese mund të sugjerohet klima detare, pasi në këto vende përqendrimi atmosferik i poleneve është relativisht i ulët.
Për individët të cilët janë të diagnostikuar me një formë alergjie, gjatë periudhës së poleneve duhet të evitojnë daljet në orët e përqendrimit më të madh të poleneve në atmosferë.
Dritaret e hapura kur udhëtoni me makinë, aktivitetet në natyrë duhet të jenë në orët e drekës, sidomos në ditët me diell dhe me erë.
Bimët janë përgjegjëse për alergjitë ndaj poleneve dhe alergjitë janë të ndryshme pasi ne kemi një shumëllojshmëri bimësh. Edhe pse bimët alergjike janë të përhapura më shumë në zonat rurale sesa në ato urbane, polenet prekin më shumë njerëzit që jetojnë në qendrat e qyteteve. Vëzhgimet kanë treguar se efekti i alergjenëve të çliruar nga polenet vjen duke u rritur nga ndërveprimi me ndotësit e ajrit.
Mënyra më e mirë për të parandaluar alergjitë është të shmanget kontakti me lëndët apo substancat alergjike. Në rastin e alergjive stinore, të cilat janë kryesisht nga polenet, është e vështirë të evitohet kontakti.
Simptomat mund të zbuten nëpërmjet marrjes së medikamenteve të rekomanduara gjithmonë nga mjeku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje