Biznes

QKB thirrje subjekteve për deklarimin e pronarëve/ Kush duhet dhe kush përjashtohet

Nga Gazeta ‘SI’ – Qendra Kombëtare e Biznesit i ka bërë thirrje subjekteve që operojnë në Shqipëri, të deklarojnë pronarët përfitues.

Sipas QKB-së, këtë detyrim e kanë shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, shoqëritë aksionare, shoqëritë kolektive dhe komandite. Po ashtu, përfshihen edhe zyrat e përfaqësimit dhe degët e shoqërive të huaja që zhvillojnë aktivitet në vend. Në listë bëjnë pjesë edhe shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre dhe të ngjashme.

Edhe OJF-të, fondacionet e shoqatat kanë detyrim të deklarojnë pronarët.  

Nga ky detyrim përjashtohen personat fizikë tregtarë, si dhe subjektet ku aksionari i vetëm është një institucion qendror ose vendor. Po ashtu, nuk përfshihen bashkësitë fetare dhe partitë politike.

Autoritetet bëjnë thirrje që subjektet të verifikojnë të dhënat dhe të kryejnë regjistrimin, për të shmangur penalitetet dhe masat administrative.

Sipas të dhënave zyrtare të QKB, gjatë vitit të kaluar 5,356 subjekte kanë kryer deklarimin e pronarëve përfitues në Regjistrin përkatës, duke shënuar një rritje prej 27% krahasuar me vitin 2024.

Ligji parashikon gjoba të kripura ndaj atyre bizneseve që nuk depozitojnë në kohë të dhënat me pronarët apo aksionerët e tyre. Masat administrative nisin nga 500 dollarë për rastet e mosrespektimit të afateve, për të shkuar deri në 6 mijë dollarë kur autoritetet konstatojnë se ato bëhen me qëllim për të fshehur të dhëna të rëndësishme mbi burimet financiare të pronarëve apo aksionerëve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë