Nga Gazeta ‘SI’- Në dhjetor të vitit 2025, inflacioni në vend arriti në nivelin 2.3%, duke reflektuar rritje të vazhdueshme të çmimeve të disa grupeve kryesore të konsumit. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, presionin më të madh mbi inflacionin e kanë ushtruar qiratë, energjia dhe uji.
Grupi i qirasë dhe energjisë shënoi rritjen më të lartë vjetore të çmimeve, me 4.8%, duke u kthyer në faktorin kryesor që ndikoi në rritjen e inflacionit. Ky grup dha një kontribut prej 0.96 pikë përqindje në inflacionin final, më i larti ndër të gjitha kategoritë.
Rritje të ndjeshme u regjistruan edhe në grupin e argëtimit dhe kulturës, ku çmimet u rritën me 3.6%, si dhe në sektorin e hotelerisë dhe kafeneve, me një rritje prej 2.6%.
Nga ana tjetër, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike shënuan një rritje më të moderuar prej 1.6%. Megjithatë, brenda këtij grupi u vunë re rritje të konsiderueshme për disa produkte bazë. Bulmeti dhe vezët u shtrenjtuan me 4.4%, ndërsa çmimet e peshkut dhe vajit u rritën me 3.8%, duke ndikuar drejtpërdrejt në buxhetet familjare.
Sa i përket kontributit në inflacionin total, pas qirasë dhe energjisë, ushqimet dhanë efektin e dytë më të madh, me 0.56 pikë përqindje. Kjo tregon se, edhe pse rritja mesatare e çmimeve të ushqimeve ishte më e ulët, pesha e tyre në shportën e konsumit mbetet e lartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




