Gazeta Si – Falë denoncimeve nga partitë, qytetarët dhe policia, SPAK njoftoi se 115 materiale kallëzuese janë regjistruar nga prokurorët e posaçëm që lidhen me krimet zgjedhore deri më datë 5 Maj, thuajse një javë para zgjedhjeve parlamentare.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në këto kallëzime përfshihen: Kallëzime nga subjekte politike, Referime nga Policia e Shtetit, Të iniciuara kryesisht nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Denoncime nga Platforma Online, Denoncime nga qytetarët.
Materialet kallëzuese nga subjektet politike janë 25. Në platformën online, kanë mbërritur 35 materiale kallëzuese, ndërsa janë regjistruar 35 procedime penale.

Nga këto procedime, 8 prej tyre janë të regjistruara kryesisht, që do të thotë të iniciuara nga SPAK. Deri më tani është bërë vetëm një arrestim në flagrancë për blerje vote kundrejt 500 eurove në Lushnjë.
Ndërkohë, prokurorë të SPAK-ut dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë zbarkuar sot në Elbasan, ku kanë zhvilluar takime në prokurorinë e rrethit lidhur me monitorimin mbi përdorimin e parave të pista dhe krimit të organizuar në zgjedhjet e 11 majit.
Gjithashtu, pjesë e monitorimit është edhe përdorimi i burimeve shtetërore dhe i administratës publike për zgjedhjet parlamentare, gjë që është e ndaluar me ligj. Kreu i grupit të monitorimit për procesin zgjedhor në Elbasan, është prokurori i posaçëm, Olsi Dado.
KRIMET ZGJEDHORE QË HETON SPAK
Korrupsioni aktiv në zgjedhje
Korrupsioni pasiv në zgjedhje
Grupet kriminale në zgjedhje
Çdo krim zgjedhor nga zyrtarët e lartë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.