Qeveria ka zgjatur edhe me tre muaj të tjerë skemën e subvencionit të naftës për transportin publik. Vendimi u njoftua nga zv.Kryeministrja Belinda Balluku në përfundim të mbledhjes së parë të kabinetit pas pushimeve verore.
Sipas Ballukut, zgjatja e subvencionimit nuk ka kosto shtesë në buxhet, pasi fondet për këtë janë ndarë që në muajin mars, kur u prezantua skema.
“Ne në prill kemi përcaktuar një masë kompensimi për të gjitha shoqëritë e transportit që ofrojnë transport publik, që ka qenë në fuqi deri në fillim të muajit gusht. Nga paketa e vënë në dispozicion në muajin prill është tërhequr nga kompanitë që ofrojnë transportin publik rreth 60 për qind e fondeve të vëna në dispozicion”, tha Balluku.
Sipas këtij vendimi, paketa ndihmëse zgjatet deri në fund të tetorit.
Në prill, Qeveria vendosi në dispozicion të kompanive që ofrojnë transport publik një shifër prej 5 milionë dollarësh si ndihmë për të përballuar kostot e rritura nga rritja e çmimit të naftës. Qëllimi i qeverisë ishte që të mos rriteshin biletat, por një pjesë e madhe e shoqërive të transportit ndërqytetas i kanë rritur ndjeshëm çmimet e biletave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



