Politike

Qeveria zgjat afatin e pasaportave dhe kartave ID të skaduara për diasporën! Hoxha: Përfitojnë 500 mijë emigrantë

Nga Gazeta ‘Si’- Në mbledhjen e sotme të këshillit të ministrave është miratuar akti për zgjatjen e afateve vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, deklaroi se janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë që u ka përfunduar vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit. Tashmë ata do mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Sot këshilli i ministrave vendosi për zgjatjen e afatit për vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit, që do të zgjidhë shumë shpejt të gjithë këtë ngërçin e krijuar, janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë që u ka përfunduar vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit. Në këtë mënyrë, me miratimin e këtij akti, do të kenë mundësinë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për të ushtruar të drejtën e votës si e drejtë kushtetuese”, tha Hoxha.

Hoxha theksoi se “me miratimin e këtij aktit të gjithë shtetasit shqiptar do të votojnë sipas udhëzimeve të KQZ duke u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit”.

Lidhur me propozimin e Partisë Demokratike që të lejohen të votojnë edhe ata shqiptar që nuk kanë një mjet identifikimi shqiptar, Hoxha tha se kjo nuk parashikohet në ligj.

‘Kjo nuk është e mundur të bëhet, vetëm ata që kanë dokument të skaduar mund të regjistrohen. Ligji nuk e parashikon’, tha ai. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë