Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ndryshimet në Buxhetin e Shtetit për Vitin 2020.
Akti Normativ alokon një Paketë Financiare prej 12 miliardë lekë për përballimin të situatës emergjente të krijuar nga Pandemia globale COVID-19.
Efekti i alokimit të shumës për paketën e emergjencës do të shpjerë në rritjen e defiçitit buxhetor në nivelin 68.7 miliardë lekë, ose 3.9 përqind të PBB-së, nga 2.2 % të PBB-së që pritej sipas buxhetit fillestar dhe për rrjedhojë, rritjen e borxhit publik total në nivelin e pritur prej rreth 68.8% e PBB-së.
Sipas financave, parashikimet sasiore për impaktin negativ të COVID-19 në ekonomi, mbeten ende të paqarta edhe në Shqipëri. Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë se ka realizuar një vlerësim të impaktit që pritet në sektorët e turizmit, transportit, tregtisë etj., dhe ngadalësimin e përkohshëm të investimeve totale dhe eksporte. Përmes këtij vlerësimi, për hartimin e këtij Akti Normativ, rritja ekonomike reale e vendit është parashikuar në nivelin 2%.
Sipas Aktit normativ, 6.5 miliardë lekë shkojnë për Paketën Sociale anti-COVID“ në mbështetje të punëmarrësve dhe/ose shtresave të tjera të prekura nga pezullimi i proçeseve të punës në shkallë vendi duke përfshirë shtresat në nevojë, personat që humbasin punët dhe komunitetet, që do të rezultojnë më të dëmtuar;
2.5 miliardë lekë Fond në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Strukturave Spitalore, për të siguruar furnizimin me medikamente, aparatura dhe urgjenca të ndryshme dhe në mbështetje të stafeve mjekësore;
1 miliard lekë në drejtim të Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit, për krijimin e hapësirës për financimin e shpenzimeve të domosdoshme me karakter të paparashikuar, për muajt në vijim;
2 miliard lekë rialokim drejt një Fondi Emergjence për të siguruar furnizimin me ushqim të komuniteteve të caktuara, që do të rezultojnë të prekura nga pandemia, apo për familje me ndihmë ekonomike dhe pensionistë të vetmuar që do të kenë nevojë për ndihmë direkte.
Njëkohësisht, ky fond do të përdoret edhe për nevoja të ekipeve mjekësore, si në spitalet civile ashtu edhe në spitalin ushtarak;
Do të ketë gjithashtu përditësime në buxhetin e Pushtetit Vendor, për të krijuar mundësitë, që edhe qeverisja vendore të jetë pjesë e mbeshtetjes së situatës se krijuar;
Amortizim të reduktimit të të ardhurave në buxhetin e shtetit për periudhën e masave për përballimin e COVID 19 dhe të impaktit të mëvonshëm;
Do të rishikohen indikatorët makroekonomikë duke treguar kujdes maksimal për t’i orientuar burimet buxhetore drejt sektorëve më emergjentë dhe për të bërë të mundur mbështetjen ndaj qyetatarëve.
Mbështetje për Sektorin Privat në përballimin e situatës, në formën e instrumentit të Garancisë Sovrane në masën 11 miliardë lekë (100 milionë USD). Kjo shumë do të shkojë si garanci për kompanitë, që do të gjenden përballë vështirësisë për pagesën e pagave të punonjësve gjatë këtyre muajve. Kjo garanci për kredi afatshkurtra, ka për qëllim të sigurojë që cdo familje të ketë të ardhura të mjaftueshme për përballimin e kësaj situate të vështirë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë garanton se do të ndjekë me kujdes maksimal ecurinë e treguesve kryesorë, me objektiv primar përmirësimin e tyre gradual dhe ruajtjen e qendrueshmërisë fiskale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




